Ushtria izraelite vret pesë palestinezë në Rripin e Gazës pavarësisht armëpushimit

Ushtria izraelite vrau pesë palestinezë, përfshirë dy djem, në Gazën qendrore dhe jugore, thanë autoritetet lokale shëndetësore.

Ushtria izraelite tha se kishte “eliminuar” një militant palestinez i cili përbënte kërcënim për ushtarët.

Izraeli dhe Hamasi kanë fajësuar njëri-tjetrin për shumë shkelje të armëpushimit të tetorit, i cili u arrit pas një lufte dyvjeçare që shkatërroi Gazën dhe shkaktoi një katastrofë humanitare.

Të dyja palët mbeten në mosmarrëveshje mbi hapat e ardhshëm për të kaluar në fazën e dytë të planit 20-pikësh të paqes të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.Mjekët palestinezë njoftuan se tre persona, përfshirë një djalë 10-vjeçar, u vranë nga bombardimet me tanke në Deir al-Balah në pjesën qendrore të Rripit të Gazës .

Dy persona të tjerë, një djalë 13-vjeçar dhe një grua, u vranë në dy incidente të ndara në Khan Yunis në jug të Gazës.Banorët thanë se të dy incidentet ndodhën në zonat nën kontrollin palestinez. Armëpushimi çoi në një tërheqje të pjesshme të forcave izraelite, të cilat mbeten nën kontroll të rreth 53 përqind të enklavës, por kanë zgjeruar gradualisht praninë e tyre në javët e fundit, duke zhvendosur më tej familjet palestineze, thanë banorët për Reuters.