SYRI TV/ Tirana paralizohet nga trafiku, Unaza e Madhe e bllokuar për disa orë, shoferët: Situatë e përditshme
Mëngjesi i kësaj të mërkure e gjeti Tiranën të përfshirë nga kaosi, për shkak të trafikut të rënduar. Akset kryesore të kryeqytetit për orë të tëra ishin të bllokuara, ndërsa situata më e vështirë rezultonte në Unazën e madhe, e cila pavarësisht milionave të përpirë nga xhepat e qytetarëve, sërish nuk ofron asnjë lehtësim sa i përket qarkullimit. Vet drejtuesit e automjeteve shprehen se problem i madh janë hyrje-daljet në Unazë, ndërsa shtojnë se bllokimi në trafik është kosto për të gjithë.
Syri TV
Situata me problematike është regjistruar në Unazën e Madhe, ku radha e automjeteve në trafik ka shkuar disa kilometra. Kjo situatë ka shkaktuar bllokimin e mjeteve për disa orë në trafik duke shkaktuar vështirësi dhe vonesa për drejtuesit e mjeteve.
Pjesa më problematike e trafikut është regjistruar në hyrjen nga Pallati me Shigjeta dhe në rrugën që lidh këtë zonë me Astirin, zonat afër qendrës, pranë ish-sheshit Shqiponja dhe rruga dalëse nga Tirana drejt Durrësit. Sipas drejtuesve të automjeteve, problem mbeten pjesët hyrëse dhe dalëse të unazës së madhe, ndërsa shtojnë se vonesat në trafik janë kosto për qytetarët.
Edhe pse Unaza e Madhe u ka kushtuar shqiptareve miliona euro, duket se nuk ka zgjidhur problemin e trafikut në Tiranë. Kujtojmë se përveç tenderit te tunelit te Llogarasë, për të cilin SPAK e ka marrë të pandehur, zv/kryeministrja Belinda Balluku është nën hetim edhe për tenderin e Unazës së Madhe për shkelje të barazisë në tendera.