Gjurmët e Sorosit te fondet anti-ICE. Kërkohet hetim për OJQ-në e mbështetur prej tij
Një organizatë konservatore mbikëqyrëse po u bën presion autoriteteve federale që të hetojnë dhe t'i heqin statusin një organizate jofitimprurëse, me akuzën se ka mbështetur aktivistë anti-ICE.
Qendra për Avancimin e Sigurisë në Amerikë (CASA) i ka kërkuar Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS) të hetojë Cooperation Cannon River (CCR), një OJQ e regjistruar si 501(c)(3) me bazë në Minesota, për mbështetje financiare ndaj protestuesve që dyshohet se kanë nxitur pengimin e operacioneve federale të emigracionit dhe kanë promovuar protesta të dhunshme. Kjo kërkesë vjen pas premtimeve të administratës Trump për masa më të ashpra ndaj trazirave.
Ankesa fokusohet te mbështetja e CCR-së për grupin Defend the 612, i cili ka qenë shumë aktiv në protestat kundër Agjencisë së Emigracionit dhe Doganave (ICE) që kanë përfshirë Minneapolis-in që nga fillimi i janarit.
"Cooperation Cannon River është sponsori financiar i 'Defend the 612', i cili përmes rrjeteve sociale nxit ndërhyrje në operacionet federale të emigracionit në zonën e Minneapolis-it," tha drejtori i CASA-s, James Fitzpatrick. "Gjithashtu, 'Defend the 612'insinuon përdorimin e taktikave potencialisht të dhunshme kundër ICE përmes reklamave të saj."
"Për shkak të shkeljeve të mundshme të ligjit federal, përfshirë pengimin e oficerëve federalë, ne besojmë se IRS-ja duhet të rishikojë statusin e përjashtimit nga taksat të këtij sponsori dhe, nëse provohet se ka veprimtari të paligjshme, ky status duhet t'i hiqet," shtoi Fitzpatrick.
Një përfaqësues i Defend the 612 nuk iu përgjigj kërkesës për koment.
CCR-ja, një organizatë nga Minesota që merret me drejtësinë sociale dhe mjedisore, fitoi zyrtarisht përjashtimin nga taksat federale në mars 2020. Lidhjet mes CCR-së dhe Defend the 612 duken qartë të paktën në një faqe donacionesh, ku organizatorët thonë se fondet do të përdoren menjëherë për blerjen e jelekëve për protestuesit, patrullime anti-ICE në lagje dhe aktivitete të tjera aktiviste.
Defend the 612 ka nxitur publikun të pengojë veprimet e ICE-së, për shembull me postime që u bëjnë thirrje ndjekësve të "bëjnë zhurmë dhe të sinjalizojnë kur shohin rrëmbyes me maska, për të alarmuar të tjerët dhe për të mbledhur turmë". Grupi ka shpërndarë edhe reklama për trajnime, ku pretendohet se mësojnë si të "ndalosh ICE-në dhe të ndërtosh një revolucion".
Grupi është promovuar edhe nga të paktën një politikan demokrat, kryetari i Këshillit Bashkiak të Minneapolis-it, Elliott Payne, i cili në janar u bëri thirrje qytetarëve të vizitonin faqen e Defend the 612 për t'u përfshirë në aktivizmin anti-ICE.
CCR ka marrë mbështetje financiare nga Tides Foundation, një fond i madh që ka përfituar gjithashtu financime nga Open Society Foundation, e themeluar nga miliarderi liberal George Soros. Sipas deklaratave financiare, Tides Foundation i ka dhënë të paktën 10 mijë dollarë CCR-së. Po ashtu, kjo fondacion ka financuar Minnesota Freedom Fund gjatë trazirave pas vrasjes së George Floyd-it në vitin 2020.
"Përmes sponsorizimit financiar të 'Defend the 612', që nxit ndërhyrje në operacionet federale të emigracionit, CCR-ja duket se është përfshirë në veprimtari të paligjshme," thuhet në letrën e CASA-s drejtuar IRS-it.
"CCR-ja mund të jetë duke shkelur ligje federale që ndalojnë pengimin e oficerëve federalë, ndërhyrjen në zbatimin e ligjit të emigracionit dhe kërcënimin e forcave federale," vijon letra.
Së fundmi, Departamenti i Sigurisë Kombëtare ka shtuar operacionet federale të emigracionit në Minesota, duke shkaktuar reagime nga demokratët lokalë dhe protestues të dhunshëm të majtë. Tensionet u rritën shpejt pas një vrasjeje që përfshiu një agjent të ICE-së.
Mes kaosit, pamjet filmike treguan turma të dhunshme duke shkatërruar një automjet të ICE-së dhe duke plaçkitur mjete të tjera federale, duke vjedhur pajisje dhe sende të ndryshme. Presidenti Donald Trump ka paralajmëruar se mund të aktivizojë Ligjin e Kryengritjes nëse drejtuesit lokalë nuk marrin masa për të ndalur trazirat. / Daily Caller – Syri.net