Berisha: Mbyllja e RTSH nga Rama, kërkesë me të cilën kërkon të vjedhë ndonjë gjë me ndonjë mik që do të ja japë

Lideri i opozitës shqiptare, Sali Berisha, komentoi deklaratat e kryeministrit për mbylljen e RTSH-së gjatë një konference për shtyp në selinë e Partisë Demokratike. Ai e cilësoi kërkesën e Edi Ramës për të mbyllur televizionin shtetëror si një veprim me motive financiare, duke synuar përfitime personale dhe pazar me të afërmit e tij.

Berisha theksoi se nuk e sheh këtë si çështje censurimi, pasi sipas tij censura është tashmë e pranishme në shumë media. Ai krahasoi RTSH-në me Top Channel, duke nënvizuar se dallimi mes tyre nuk ekziston dhe gjithçka bëhet për interes ekonomik personal.

FJALA E BERISHËS:

Pyetja: Si i komentoni deklaratat e kryeministrit që në tavolinë të jetë dhe mbyllja e RTSH-së, duke kritikuar menaxhimin. A keni ju një koment në lidhje me RTSH dhe kërcënimet që ka bërë Edi Rama?

Sali Berisha: Kërkesa e tij për të mbyllur Radio Televizionin Shqiptar (RTSH) nuk ka diskutim që është një kërkesë me të cilën kërkon të nxjerrë, të vjedhë ndonjë gjë, dhe të ndajë fitimet me ndonjë mik të tij që don të ja japë. 

Nuk mund të them se, ka hallin tek censura, mbasi për kështu ai censurën e ka omniprezente po thuaj. Nuk dalloj unë asgjë mes Top Tunelit dhe RTSH, nuk shoh ndonjë dallim. Ndaj dhe këtu kemi të bëjmë me punë pazaresh, që ai është i pangopur. 

Nuk mund të them se është punë censure? Jo se ai censurën e ka kudo. E patë ju, falë toka, falë ndërtesa, falë këto, falë ato, i fut nën sqetull, u jep hotele, u jep gjëra. Qëllimi është se ka bërë pazar me ndonjë të vetin dhe do të ja japë atij, për të ndarë pare me të.