Rikthim i madh për Atalantën, Gjimshiti gati në kohë rekord për sfidën e Championsit

Berat Gjimshiti ka dhënë një lajm shumë pozitiv për Atalantën dhe për tifozët shqiptarë, pasi ka rikuperuar në kohë rekord dëmtimin e pësuar vetëm pak javë më parë.

Mbrojtësi kuqezi pritet të jetë i përfshirë në listën e të grumbulluarve për ndeshjen e sotme mes Atalantës dhe Athletic Bilbao-s.

Shtatlarti shqiptar ka qenë nën monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor dhe ka reaguar më shpejt nga sa ishte parashikuar fillimisht, duke u vënë plotësisht në dispozicion të trajnerit për sfidën e mbrëmjes.

Gjimshiti pritet të jetë i gatshëm për të luajtur në “New Balance Arena”, një rikthim i rëndësishëm për repartin mbrojtës të bergamaskëve.

Takimi ndaj baskëve ka peshë të veçantë për Atalantën, e cila pas gjashtë ndeshjesh mban vendin e tetë në renditje me 13 pikë, duke qenë ende në garë për objektivat e saj europianë.

Nga ana tjetër, Athletic Bilbao ndodhet në një situatë më të vështirë, pasi në po aq ndeshje ka grumbulluar vetëm pesë pikë.

Prania e Gjimshitit i jep më shumë siguri prapavijës së Atalantës dhe rrit opsionet taktike për këtë përballje të rëndësishme, ndërsa mbrojtësi kuqezi synon të lërë pas dëmtimin dhe të rikthehet menjëherë në nivelin e tij më të mirë.