Tragjedia në Spanjë/ Konfirmohet vdekja e babait të futbollistit të Getafes pas aksidentit hekurudhor
Spanja është tronditur nga një nga aksidentet hekurudhore më të rënda të dekadave të fundit, ndërsa bilanci i viktimave vazhdon të rritet.
Tragjedia e ndodhur të dielën mbrëma pranë Adamuzit, në provincën e Kordobës, ka marrë tashmë 42 jetë, me dhjetëra persona ende të zhdukur dhe qindra të plagosur.
Të hënën mbrëma u konfirmua se dy trena kishin dalë nga shinat, me njërin që ishte përplasur me tjetrin në një zonë rurale pranë Adamuzit.
Autoritetet spanjolle po vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, i cili ka shkaktuar një valë zie në mbarë vendin.
Mes pasagjerëve që udhëtonin atë natë ishte edhe David Cordon, babai i futbollistit të Getafes, Davinchi.
Sipas raportimeve të Cadena SER, Cordon po kthehej nga Madridi, ku kishte ndjekur nga tribuna ndeshjen e djalit të tij në stadiumin “Coliseum”, takim që Getafe e humbi ndaj Valencias. Davinchi aktualisht ndodhet jashtë fushave për shkak të një dëmtimi në menisk.
David Cordon ishte një emër i njohur i futbollit spanjoll, me një karrierë të suksesshme te klube si Atletico Madridi, Sevilla dhe Recreativo de Huelva, pikërisht aty ku Davinchi hodhi hapat e parë si profesionist.
Ai kishte fituar gjithashtu dy tituj kampioni evropian me Spanjën në futbollin e plazhit, në vitet 2001 dhe 2004.
Të mërkurën mbrëma, klubi i Getafes konfirmoi zyrtarisht ndarjen nga jeta të David Cordon, i cili kishte qenë i shtruar në spital për shkak të plagëve të marra në aksident.
Lajmi ka shkaktuar dhimbje të madhe në botën e futbollit, ndërsa klubi dhe tifozët kanë shprehur ngushëllimet për familjen e lojtarit.