SYRI TV/ Operacioni 'Anëtarët' - Goditet grupi kriminal që shiste armë zjarri, 3 të arrestuar në Tiranë
Pas 3 muajsh hetime, Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Anëtarët”, duke goditur një grup kriminal të përfshirë në shitjen e armëve të zjarrit.
Si rezultat i operacionit, janë vënë në pranga 3 shtetas, të tre me precedent penal, ndërsa 1 shtetas tjetër është shpallur në kërkim, i dyshuar si pjesëtar i këtij grupi kriminal.
Dy prej të arrestuarve u kapën në flagrancë në zonën e Tufinës, teksa tentonin të shisnin 2 armë zjarri kallashnikov, ndërhyrje e realizuar nga shërbimet e Policisë.
Në pranga ranë shtetasit: I. Z., 55 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për vrasje; A. B., 63 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe mashtrim; A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje të rëndë me dashje. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi E. S., 28 vjeç.
Gjatë operacionit, Policia sekuestroi 5 armë zjarri dhe municion luftarak, të cilat dyshohet se do të shiteshin në zonat e Tufinës dhe Freskut.
Hetimet janë kryer nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Tiranë.
Sipas hetimeve, të arrestuarit dyshohet se ishin pjesëtarë të një grupi kriminal që vepronte në disa zona të kryeqytetit, kryesisht në Tufinë dhe Fresk.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë grup.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.