Kivu pas humbjes së Interit: Arsenali më impresionoi

Trajneri i Interit, Kristian Kivu, foli për mikrofonat e “Sky” pas humbjes 1-3 në ndeshjen e Champions League kundër Arsenalit. Ndër të tjera, tekniku rumun deklaroi: “Ishte kundërshtari më i fortë për nga intensiteti, teknika në shpejtësi, pozicionimi në fushë dhe idetë në sulm mes linjave. Ne u përpoqëm të qëndronim në lojë dhe bëmë një paraqitje të mirë në pjesën e parë; në rezultatin 1-1 mund të kishim shënuar.

Ishim të pafat te goli nga goditja standarde, topi godet traversën dhe përfundon në kokën e një lojtari. Në pjesën e dytë ata e rritën nivelin e përqendrimit dhe ne patëm vështirësi të krijonim raste, për më tepër kishin edhe zëvendësime që të vënë në vështirësi.

Duhet të presim për të parë renditjen dhe për të kuptuar nëse mjafton një fitore; jemi gati edhe për të luajtur në ‘playoff’. Ka keqardhje, sepse kundër Liverpulit dhe Atletikos, me më shumë vëmendje dhe pjekuri, mund të kishim marrë diçka.

Mendoj për rritjen tonë në aspektin e pjekurisë: po t’i luanim sot këto ndeshje kundër Liverpulit dhe Atletikos, do të kishim marrë më shumë.

Vazhdojmë përpara me bindje, duke pranuar të luajmë hapur kundër një skuadre që mund të të vërë në vështirësi me lojtarë si Saka dhe Trosard. Marr me vete guximin dhe rritjen e treguar në periudhën e fundit”.