Reshjet e borës vështirësojnë qarkullimin në disa zona të vendit, Policia bën apel për kujdes në rrugë
Policia e Shtetit apelon për kujdes të shtuar nga të gjithë përdoruesit e rrugës, për shkak të reshjeve të borës që kanë vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore të vendit, kryesisht në zonat malore të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, si dhe në zonën e Sarandës.
Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullave të Përgjithshme janë në terren, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe për t’u ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve në rast nevoje.
Policia po bashkëpunon ngushtë me entet pronare të rrugëve dhe firmat kontraktore, për pastrimin e akseve rrugore nga bora dhe për shpërndarjen e kripës. Puna për pastrimin dhe kriposjen e rrugëve vijon në mënyrë intensive.
Në aksin Qafë Thanë, për një periudhë rreth 2–3 orë, nuk do të lejohet qarkullimi i kamionëve, deri në përfundimin e pastrimit të rrugës nga borëpastruesja në territorin e Maqedonisë së Veriut.
Apeli i Policisë Rrugore për drejtuesit e mjeteve:
-të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes,
-të respektojnë sinjalistikën rrugore,
-të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore,
-të ndjekin dhe zbatojnë udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.