Netflix tejkalon 325 milionë abonentë me pagesë

Shërbimi amerikan i transmetimit Netflix ka tejkaluar 325 milionë abonentë në të gjithë botën, duke raportuar të martën përditësimin e parë të numrit të përdoruesve brenda një viti.

Kompania e mbylli vitin 2024 me 301.6 milionë klientë që paguanin. Në tremujorin e fundit, Netflix i rriti të ardhurat e saj me 17.6 për qind në bazë vjetore, në pak më shumë se 12 miliardë dollarë.

Fitimi neto arriti në 2.42 miliardë dollarë, që është pothuajse 29 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar.Netflix aktualisht po kërkon të blejë biznesin e studiove dhe transmetimeve të filmit të famshëm hollivudian Warner Bros. Discovery.

Për të financuar marrëveshjen prej rreth 83 miliardë dollarësh, Netflix tha se do të pezullonte blerjet e aksioneve, duke njoftuar këtë veprim së bashku me raportin e saj të të ardhurave.

Kompanitë amerikane shpesh përdorin blerjet e aksioneve për të ndihmuar në mbështetjen e çmimeve të aksioneve të tyre, sipas DPA-së.

Aksionet e Netflix ranë deri në pesë përqind në tregtimin pas orarit të bursës. Që kur dolën raportet për planet e blerjes nga Warner Bros., aksioni ka humbur rreth 30 përqind të vlerës së tij. Netflix më pas braktisi planet për të përfshirë aksionet në transaksion dhe tha se do ta paguante çmimin e blerjes me para në dorë.