Bajaziti: Rama po përdor ftesën e Trump për të fshehur dështimet e qeverisë dhe problemet e thella të Shqipërisë
Erisa Bajaziti, pedagoge në Bruksel, u shpreh në emisionin 'A Show' me Adi Krastën, se Kryeministri Edi Rama po shfrytëzon ftesën e Presidentit Donald Trump për të krijuar një imazh të rremë të marrëdhënieve ndërkombëtare, duke manipuluar opinionin publik dhe duke shpërqendruar vëmendjen nga problemet e thella që po përjeton Shqipëria.
Sipas Bajaziti, Rama po i shërben shqiptarëve me një "lugë bosh", duke përdorur këtë ftesë si një spektakël mediatik për të mbuluar dështimet e qeverisë në menaxhimin e krizave të brendshme, si përmbytjet që kanë përfshirë disa zona të vendit dhe mungesën e energjisë në spitalet publike.
Bajaziti theksoi se ndërsa Kryeministri përpiqet të paraqesë një imazh të Shqipërisë si një aktor të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, realiteti i zymtë i brendshëm është dukshëm i ndryshëm.
Ajo akuzoi qeverinë se po krijon një fasadë të rreme, duke përdorur ftesa protokollare për të shmangur përgjegjësitë ndaj qytetarëve shqiptarë, të cilët po përballen me kushte të papërballueshme dhe mungesë të shërbimeve themelore. Sipas saj, ky është një tentativë për të fshehur paaftësinë e administratës dhe për të shpërqendruar vëmendjen nga krizën e vërtetë që po përjetojnë shqiptarët çdo ditë.
Pjesë nga deklarata:
E kam ndjekur në media gjithë zhurmën e madhe që është bërë për shkak të një ftesë që Kryeministri i Shqipërisë ka marrë nga Presidenti Donald Trump. Është e çuditshme se si një ftesë, deri diku normale në marrëdhëniet midis dy shteteve, duhet të stërhullohet në këtë mënyrë. Por, mendoj se Kryeministri Rama le të përdorë çfarëdo filtrash ose llustresh për të përmirësuar, le të themi, imazhin e tij përballë një presidenti të cilin ai vetë e ka quajtur si "e keqja e madhe" që do t’i ndodhte botës, nëse ai do të zgjidhej si president.
Është ai që është, dhe është e vërtetë. Duke pasur parasysh që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati strategjik i Shqipërisë, padyshim që kjo ftesë duhet trajtuar si një ftesë midis dy shteteve. Fakti që Kryeministri shqiptar i jep kaq pompozitet në mediat e tij sociale, si forma e vetme e komunikimit të tij me publikun shqiptar, dhe në mungesë të transparencës që ai ka për çdo ngjarje tjetër, është shqetësues. Jo vetëm që ka dashur ta mbajë për vete, por ka dashur të jetë dhe disi i mbrojtur nga pyetjet, sepse çdo pyetje e një gazetari është një kërkesë për transparencë.
E rëndësishme është që ne, si shqiptarë, të kuptojmë se vërtet ka ardhur një ftesë e tillë, por çfarë përmban kjo ftesë? Kush është kuadri ligjor në të cilin Shqipëria do të merrte pjesë në një mbledhje të tillë? Në një bord të paqes, ku pretendohet që Shqipëria të japë kontributin e saj, ndërkohë që ne si vend kemi shumë probleme, jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në rajon. Sepse vetë Kryeministri Rama, në raport me ndërkombëtarët, e sheh veten si një faktor stabilizues në rajon.
Për mua është pak ironike që Kryeministri shqiptar e trumbeton me të madhe këtë ftesë të Presidentit Trump, pa dashur të heqë absolutisht historikun e tij dhe marrëdhënien që ka pasur me Presidentin Trump. Ai e ka quajtur atë një president të papërshtatshëm dhe nuk e ka uruar kurrë që ai të bëhej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është një ngjarje që i bën shqiptarët të kuptojnë më mirë Kryeministrin dhe qëndrimin e tij real përballë liderëve botërorë.
Nganjëherë duket sikur Kryeministri shqiptar tenton t'i ushqejë shqiptarët me lugën bosh, ndërkohë që Shqipëria po rrënohet gjithnjë e më shumë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë një aktor i rëndësishëm në politikën ndërkombëtare dhe ndodhen në një pozicion komod për të vendosur, por krahasuar me Bashkimin Europian, po ndodh një tronditje, një lloj shkundjeje për të kuptuar se si qëndrojnë marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian. Duket se këta dy partnerë tani po e gjejnë veten të gërshetuar në politikat e tyre.
Unë do të thosha që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në raport edhe me Bashkimin Europian, janë në një pozicion komod. Dëshiroj të bëj një lidhje me Shqipërinë: shumë liderë, përfshirë edhe ata europianë, janë ndier në pozita jo shumë komode në raport me Presidentin Trump, por nuk duhet të harrojmë që Bashkimi Europian është duke menduar mbi bazat e interesit të tij. Kështu, unë do të kisha dashur që edhe Shqipëria, në momente të rëndësishme të vendimmarrjes, të mendojë paraprakisht për interesat afatgjata që lidhen me Shqipërinë, ashtu siç bëjnë edhe liderët europianë.
Kështu që, në këtë aspekt, do të sugjeroja që Kryeministri shqiptar të marrë disa mësime nga liderët europianë, pavarësisht momenteve jo të shkëlqyera. Do të ishte mirë që interesat kombëtare shqiptare të viheshin në rend të parë. Po ashtu, është e rëndësishme për ne si qytetarë europianë që interesat europianë të jenë disi të mbrojtura në raport me interesat amerikane. Le të shpresojmë që aleanca euroatlantike do të mbetet dhe do të vijojë të jetë solide, pavarësisht zhvillimeve që ndodhin, sepse duket se gjithmonë ka një element ose konflikt që mund të zhvendosë jo vetëm interesat, por edhe superfuqitë, për t'i parë ato nga këndvështrime të ndryshme.
Megjithatë, për mua është shumë e rëndësishme që Shqipëria, në raport me këto zhvillime të rëndësishme ndërkombëtare, të dijë se ku qëndron dhe të jetë e pozicionuar qartë. Besoj se është detyrë e qytetarëve shqiptarë që në këto momente të kërkojnë llogari nga qeverisja e tyre, sepse është një kryeministër që deri tani ka zbukuruar imazhin e tij jo vetëm në arenën ndërkombëtare, por edhe brenda Shqipërisë. Duket sikur ka vendosur një perde dhe ka humbur lidhjen me realitetin e qytetarëve shqiptarë. Nuk mund të pretendojmë të kemi një kryeministër kaq të fortë sa për të negociuar ndërkombëtarisht për të zgjidhur konfliktet, ndërkohë që Shqipëria është e zhytur në probleme të mëdha. Jo më larg se dje, pamë pamje tragjike nga spitali i QSUT-së, ku mungesa e energjisë elektrike shkaktoi zhvendosjen e pacientëve në kushte të paimagjinueshme.
Kështu që lideri ynë nuk duhet të shfaqet vetëm si një aktor dhe faktor stabiliteti për rajonin dhe më gjerë, por duhet të mendojë për shqiptarët, sepse mungesa e një shteti të fortë ka bërë që qytetarët të ëndërrojnë që të kërkojnë llogari nga qeveritë tona, dhe më saktë nga Kryeministri.