Malazezët po blejnë nuse nga Shqipëria? Shoqatat e të drejtave të grave ngrenë alarmin, reagon policia
Nga Nikola Saveljicc, VIJESTI
Policia malazeze nuk ka njohuri për ndonjë ndërmjetësim të paligjshëm në lidhjen e martesave midis qytetarëve malazezë dhe atyre shqiptarë në vitet e fundit.
Sipas të dhënave nga shumica e komunave, gjatë dy viteve të fundit janë regjistruar 16 martesa midis qytetarëve malazezë dhe shqiptarë, megjithatë nuk dihet nëse ato janë paraprirë nga detyrimi ose shfrytëzimi.
“Vijesti” mori së fundmi një screenshot nga një prej grupeve në rrjetin social “Facebook”, i cili promovon martesat me qytetarë shqiptarë. Në grupin, që shërben për blerjen dhe shkëmbimin e shërbimeve dhe produkteve të ndryshme – nga automjetet tek ambientet e biznesit për qira – qarkullonte një shpallje ku një prej përdoruesve “ofronte” një grua shqiptare për martesë.
“Gra nga Shqipëria për martesë. E drejta për shtëpinë. Mund të na kontaktoni këtu dhe ne do të organizojmë gjithçka për njohjen…”, shkruhej në postim.
Pas marrjes së screenshot-it, një gazetar i “Vijesti” tentoi të gjejë postimin, por ai ishte zhdukur, po ashtu edhe profili që e kishte publikuar foton kontroverse.
Qendra për të Drejtat e Grave (CŽP) i tha redaksisë se shpalljet publike që ofrojnë gra si mallra “paraqesin një alarm serioz për rendin ligjor dhe të drejtat e njeriut”.
“Edhe pse ka pasur raste në media që romantizojnë ‘blerjen’ e grave nga Shqipëria, dua të theksoj se kemi pasur raste të shfrytëzimit të rëndë dhe dhunës ndaj këtyre grave, dhe kjo është një formë e mundshme e trafikimit të qenieve njerëzore dhe martesave të detyruara, të cilat ndalohen si nga legjislacioni kriminal vendor, ashtu edhe nga obligimet ndërkombëtare që Mali i Zi ka marrë përsipër,” tha Maja Raiçević, drejtoreshë ekzekutive e kësaj organizate joqeveritare.
Policia malazeze: Nuk janë të gjitha raste trafikimi
Drejtoria Policore e Malit të Zi, në përgjigjet e saj për redaksinë, deklaroi se gjatë pesë viteve të fundit nuk u janë raportuar raste ndërmjetësimi.
Ata gjithashtu thanë se nuk kanë informacion nëse “dikush ka përfituar ndonjë fitim material të paligjshëm nga kjo.”
Siç u shprehën ata, Neni 444 i Kodit Penal të Malit të Zi e vlerëson trafikimin e qenieve njerëzore “ekskluzivisht bazuar në fakte dhe rrethanat specifike të secilit rast individual.”
“Kjo nënkupton praninë e elementëve si detyrimi, kërcënimi, mashtrimi, shfrytëzimi i pozitës ose situatës së vështirë, si dhe qëllimin për shfrytëzim. Vetëm lidhja e martesës, pa elementët e përmendur më sipër dhe pa shfrytëzim, nuk mund të konsiderohet automatikisht trafikim njerëzor. Nëse në të ardhmen marrim raporte ose informacion specifik që tregon veprime të mundshme të paligjshme në këtë fushë, ato do të kontrollohen dhe trajtohen me kujdes, në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, në përputhje me ligjin,” u shpreh policia.
Gratë nuk janë objekte
Drejtoresha Ekzekutive e Qendrës për të Drejtat e Grave, Maja Raičević, thekson se “shpalljet publike që ofrojnë gra, kryesisht nga Shqipëria, si mallra, paraqesin një alarm serioz për mbrojtjen e grave nga dhuna dhe shfrytëzimi.”
“Sipas Kodit Penal të Malit të Zi, veprat penale të trafikimit të qenieve njerëzore, rekrutimit për shfrytëzim, si dhe lehtësimit ose ndërmjetësimit në marrëdhënie të detyruara, përfshijnë gjithashtu situatat ku martesa përdoret si mjet kontrolli, shfrytëzimi ose privimi nga liria e një gruaje. Konventa e Stambollit, të cilën Mali i Zi e ka ratifikuar, gjithashtu obligon shtetin të parandalojë dhe të ndëshkojë martesat e detyruara, si dhe të gjitha format e dhunës ndaj grave që lindin nga marrëdhënie pushteti të pabarabarta,” tha ajo.
Ajo kujtoi se konventa njeh qartë se martesa “mund të jetë një instrument i dhunës, kontrollit dhe shfrytëzimit.”
“Sidomos kur ekziston varësi ekonomike, gjuhësore ose emigrimi nga njëra anë. Gratë nuk janë objekte, por kanë të drejta dhe është e papranueshme të tolerohen këto fenomene. Autoritetet shtetërore, kryesisht policia dhe prokurorët, kanë detyrë të reagojnë, të hetojnë sfondin e këtyre shpalljeve dhe të ndjekin penalisht të gjithë të përfshirët në aktivitete të paligjshme.”
Shumica e martesave në Ulqin
Sipas të dhënave nga 15 komuna, gjatë dy viteve të fundit janë lidhur 16 martesa midis qytetarëve të Malit të Zi dhe qytetarëve shqiptarë.
“Vijesti” dërgoi pyetje në të gjitha komunat e Malit të Zi, por nuk mori përgjigje nga dhjetë prej tyre.
Sipas të dhënave të komunave, shumica e martesave me qytetarë shqiptarë janë lidhur në komunën e Ulqinit – nëntë.