VIDEO/ Këlliçi: Ka rënë një bombë e madhe në sistemin e drejtësisë, vendimet e Irena Gjokës janë nul

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, duke folur për përfundimin e hetimit ndaj gjyqtares Irena Gjoka, dhe që ka rezultuar se ajo ka fshehur dënimin në Greqi, e ka cilësuar si një tronditje të rëndë institucionale dhe një goditje direkte ndaj besimit publik.

Sipas tij, çdo vonesë në hetim ka sjellë pasoja konkrete në dosjet gjyqësore. Këlliçi deklaroi se rasti i gjyqtares Irena Gjoka përbën një precedent tejet të rrezikshëm për drejtësinë shqiptare.

Sipas deputetit demokrat, pasojat janë të rënda për të gjitha procedurat gjyqësore të trajtuara nga kjo gjyqtare.

‘Zvarritja e hetimit po cënon rëndë parimin e barazisë para ligjit, integritetin e sistemit të drejtësisë dhe interesat financiarë të shtetit shqiptar.

Tani, Adriana po flet për vonesat. Çdo minutë vonesë që është bërë, sigurisht që krijon kosto në dosjet, edhe në dosjet që vetë zonja...

Zonja në fjalë, dhe që sot në fakt ka rënë, praktikisht ka rënë një bombë shumë e madhe në sistemin e drejtësisë. Është një gjyqtare që për 20 muaj me radhë, opozita, Partia Demokratike, zonja Kalaja, kushdo zë publik që ka folur për këtë çështje, nuk ka rreshtur së denoncuari me fakte, me prova, këtë mungesë të deklarimit të formularit të dekriminalizimit të kësaj zonje, të të vërtetës në formular, dhe gënjeshtrës së hapur që i është bërë autoriteteve shqiptare, që e di i madh dhe i vogël.

Dhe pasojat janë të rënda për të gjithë procedurat gjyqësore që kjo zonjë ka sot në gjykim e sipër. Pasi do të duhet të bëhen nul nga ky moment e mbrapa, që është marrë dhe ky vendim, do të duhet të ishin bërë para 20 muajsh. Mos harroni që zonja në fjalë i bie që ka marrë vendime edhe kundër grupeve kriminale, mbase mund të ketë marrë kundër personave që kanë patur çështje për korrupsion.

Dhe gjatë këtyre 20 muajve, dua t'ju them diçka tjetër, dua të ndalem te ky aspekti politik. Çfarë bëri Irena Gjoka në këto 20 muaj? Kjo, në 20 muaj që u vonuan këto institucionet tona të drejtësisë për të zbardhur këtë vërtetë të madhe që nuk ka shqiptar që nuk e dinte prej 20 muajsh, u dënua Sali Berisha, u burgos lideri i opozitës një vit në shtëpi, po dënohet zoti Mediu, u mor zvarrë zoti Beleri, Ilir Meta, dhe vijon t'i bëhet presion Arben Ahmetajt. Pra të gjithë kundërshtarët politikë...

Dhe Fredi Beleri që është dënuar pak më parë. Pra pak më parë, pra po them vetëm 20 muajshin, pra këtë periudhën kohore. Dhe kjo çfarë do të thotë? Kjo në 20 muaj, me dijeni të plotë të KLGj-së, të Prokurorisë së Përgjithshme dhe të gjithë personave që i kanë institucionet e drejtësisë si leva dhe masha të keqpërdorimit politik kundër opozitës, kësaj i është dhënë 'visto', dritë jeshile për të goditur drejtuesit e opozitës, për të goditur kryetarin e opozitës, për të hetuar kundërshtarët e Edi Ramës me shpresën se do ta shpëtonin.

Dhe njëlloj siç ka ndodhur me Lefter Kokën, njëlloj siç ka ndodhur me Belinda Ballukun, siç ka ndodhur me Alqi Bllakon, se kjo është anëtare e kabinetit të Ramës, kjo nuk ka lidhje me drejtësinë, kjo nuk është gjyqtare. Edhe kjo, pasi kreu shërbimin, u flak në rrugë, po sërish nga Edi Rama. Si letër higjienike që e kanë keqpërdorur. Dhe kthehemi te kostoja e madhe. Kosto është e jashtëzakonshme edhe e cënimit të besimit publik te institucionet e drejtësisë, edhe e vetë institucioneve të reja të drejtësisë, edhe te qytetari që na ndjek.  

Çdo moment që kalon është kosto. Është kosto. Është vendimmarrje. Sepse ajo zonja ka dosje tani që ne flasim, ajo ka dosje në gjykim. Një zot e di cilat janë çështjet që ajo ka në gjykim. Do të shohim sa do t'i duhet, por nuk ka sot qytetar shqiptar që nuk e di të vërtetën. Afati ligjor, e këto kush e di sa herë i kanë shkelur dhe sa herë i shkelin.

Dhe të gjitha bien. Dhe praktikisht do të bien dhe do të bëhen nul. Dhe ka dhe grupe kriminale që kjo i ka dënuar që mund të bëhen nul. Dhe persona që mund të jenë dënuar me firmën e kësaj zonje, me çekiçin e kësaj zonje, dhe që i bie që të bëhen nul. Megjithatë thelbi, thelbi është që ne sot kemi të bëjmë me gjyqtarë dhe prokurorë tërësisht të kontrolluar dhe të përdorur si leva për të goditur opozitën.’, tha ndër të tjera deputeti i PD-së Belind Këlliçi në SYRI TV.