Sarandë/ Dy apartamente tek pallati 9-katësh, 'shtëpi bari' arrestohet administratori, 4 në kërkim

Policia ka shpallur në kërkim 4 persona ndërsa është arrestuar administrator i pallatit.

“Si rezultat i këtij operacioni, në katin e nëntë të një pallati 9-katësh, në lagjen nr. 2, Sarandë, në dy apartamente, u konstatuan ambiente të përshtatura për kultivimin e bimëve narkotike nëpërmjet llambave elektrike, si dhe për tharjen dhe përpunimin e tyre, me qëllim shitjen. Nga verifikimet rezultoi se pajisjet furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi Ermal Bleta, 45 vjeç, banues në Sarandë, administrator i pallatit, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose impulsive telefonike”.

Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit Elton Shehu (Bleta), 48 vjeç, Santi Hoxha, 26 vjeç, Taulant Muço, 28 vjeç dhe Amelia Murati, 25 vjeçe, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Po në vijim të veprimeve për këtë rast, u procedua penalisht dhe shtetasja M. B., 45 vjeçe, (bashkëshortja e shtetasit Ermal Bleta i arrestuar).

Gjatë kontrollit në ambientet e përshtatura u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 157 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, të kultivuara në vazo, 18 kg lëndë narkotike kanabis, në gjendje të thatë, 90 llamba elektrike me reflektorë, 100 siguresa elektrike, 5 kondicionerë, 15 ventilatorë, 4 filtra ajri, tubo aspirimi, 3 aparate celulare dhe pajisje të tjera që përdoreshin për veprimtari kriminale.

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.