SYRI TV/ Përmbytjet në Fier - Fermerët apel për ndihmë: Sillni bazë ushqimore për bagëtitë
Fermerët e zonës së Hasturkasit, Bashkia Fier, të dëmtuar nga përmbytjet për shkak të daljes nga shtrati të Lumit Seman, bëjnë apel për ndihmë. Ata theksojnë faktin se problemi më i madh ka të bëjë me dëmtimin e ushqimit të bagëtive, ndërsa i drejtohen shtetit të gjejë zgjidhje.
Syri TV
Dalja e lumit Seman nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në banesa dhe toka bujqësore, duke sjellë dëme të shumta në fshatin Hasturkas në Fier. Banorët raportojnë se uji ka hyrë në shtëpi dhe ka shkatërruar orenditë, ndërsa dëmet më të mëdha janë regjistruar në bazën ushqimore për bagëtitë. Sipas blegtorëve, përmbytjet kanë shkatërruar rezervat ushqimore për bagëtitë, duke vënë në rrezik serioz jetesën e qindra krerëve bagëti.
Banorët dhe blegtorët i bëjnë thirrje institucioneve shtetërore që të ndërhyjnë sa më parë, duke siguruar bazë ushqimore për bagëtitë, për të shmangur një katastrofë edhe më të madhe ekonomike dhe sociale për ta.
Sipas banorëve, një komision verifikimi ka shkuar në terren dhe se tashmë ata janë në pritje të dëmshpërblimit, por më emergjente kanë bazën ushqimore për bagëtitë.