'Shteti në heshtje'/ Porti i peshkimit në Vlorë pa standarde, peshkatarët në kufijtë e mbijetesës

Porti i peshkimit në Vlorë, i njohur nga qytetarët si Triporti, prej vitesh vijon të jetë i braktisur dhe pa asnjë investim serioz nga institucionet përgjegjëse. Pavarësisht premtimeve të përsëritura për rehabilitimin dhe sistemimin e tij, peshkatarët shprehen se realiteti në terren mbetet i pandryshuar.

Sipas tyre, taksat dhe detyrimet financiare paguhen rregullisht, por në këmbim nuk ka asnjë përmirësim të infrastrukturës apo kushteve të punës.

Në kalatat e portit ndodhen disa anije të mbytura, të cilat prej vitesh nuk janë larguar dhe përbëjnë një rrezik serioz për mjetet e tjera lundruese që ankorohen në këtë zonë.

Situata rëndohet edhe më tej nga prania e mbeturinave në gjithë hapësirën e portit, duke e kthyer Triportin në një zonë të degraduar dhe jashtë çdo standardi funksional.

Sot, sipas peshkatarëve, ky port nuk shërben më si një port i mirëfillt peshkimi, por si një vend grumbullimi për anije të braktisura dhe të mbytura.

Një tjetër problem i mprehtë mbetet mungesa e fuqisë punëtore, e cila ka detyruar operatorët e sektorit të peshkimit të punësojnë punëtorë të ardhur nga Egjipti, për shkak të braktisjes së këtij profesioni nga vendasit.

Sektori i peshkimit në Vlorë është lënë në harresë prej vitesh. Asnjë investim konkret dhe vetëm premtime të pambajtura, denoncojnë peshkatarët që operojnë në Triport.

Aktualisht, rreth 80 anije peshkimi janë aktive në këtë port, por përballen me vështirësi serioze në ankorim, pasi të paktën pesë mjete lundruese të mbytura vijojnë të mbeten në kalata, duke përbërë rrezik të vazhdueshëm për sigurinë e tyre.