Ramaduro në 'Bordin e Paqes'!

“Shumë i nderuar nga ftesa personale e presidentit Trump, për ta përfaqësuar Shqipërinë në Bordin e Paqes, një organizatë e re ndërkombëtare e ideuar prej tij, ku Shqipëria ftohet si anëtare themeluese, duke ngjitur kështu ndërkombëtarisht një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm pak vite më parë”. Ky ishte njoftimi shpërthyes i Kryeministrit Rama, i cili, në kulmin e ekzaltimit të tij nga letra e Presidentit Trump, vazhdoi duke u shprehur se “ai ftohej me një respekt dhe vlerësim krejt të posaçëm nga presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar dhe kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”.

Rama nuk e shoqëroi njoftimin me publikimin e letrës, duke e mbajtur opinionin publik dhe politik në suspensë, pa e ditur se për çfarë bëhej fjalë. Falë mrekullisë së X (ish-Twitter), media filloi të shikonte njoftime të tilla të shoqëruara me kopjen e letrës edhe nga liderë të tjerë, kryesisht nga vende irelevante në arenën ndërkombëtare. I vendosur nën trysninë e opinionit publik, ai të nesërmen u detyrua të publikonte letrën, e cila nuk ishte gjë tjetër veçse një ftesë standarde e dërguar nga presidenti amerikan dhjetëra kryetarëve shtetesh e qeverishë.

Sikur të mos mjaftonte kjo, shumë shpejt u bë e qartë se, sipas Kartës së Bordit të Paqes, anëtarësia e përhershme në këtë institucion kishte një faturë të kripur prej 1 miliardë dollarësh. I ndodhur përballë bllofit të krijuar prej tij, Kryeministri nxitoi të nxirrte ministren e tij të jashtme në konferencë për shtyp, e cila, në siklet të dukshëm, deklaronte se letra e Presidentit Trump jo vetëm që ishte personale për Ramën dhe se përmbante një vlerësim të posaçëm për të, por se Shqipëria as nuk do të paguante çmimin e anëtarësisë prej 1 miliardë dollarësh dhe as nuk do të pranonte refugjatë palestinezë si pjesë e kontributit.

Edhe kryeministri, edhe ministrja e tij e jashtme refuzuan të deklaroheshin se cili do të ishte kontributi i Shqipërisë si në Bordin e Paqes, ashtu edhe në të ardhmen e Gazës. Dhe arsyeja është e thjeshtë: Rama nuk është në këtë bord as për të kontribuar në arritjen e paqes në botë dhe as për të rindërtuar Gazën. Atij thjesht i duhet një shtrëngim duarsh a foto me Presidentin Trump. Bash për këtë arsye është e kuptueshme rëndimi psikologjik dhe shpërthimi i tij vulgar ndaj të gjithë atyre që guxuan të rrëzonin narrativën e tij.

Kushdo që ka ndjekur me vëmendje itinerarin diplomatik të kryeministrit në muajt e fundit, e ka parë atë sa në Ankara, sa në Tel Aviv, sa në Doha, sa në Abu Dabi e Riad. Herë me Tony Blair e herë me lobistë pranë administratës amerikane. Prej më shumë se një dekade Rama ka qenë i përkëdheluri i SHBA-ve. Ai njihet botërisht si kukulla e Soros dhe pjesë e rrjetit të tij politiko-financiar. Aksesi i tij në Departamentin e Shtetit të sekretarit Blinken ka qenë i paprecedentë.

Kjo i mundësoi atij manipulimin dhe blerjen e disa palë zgjedhjeve duke përdorur kartelet ndërkombëtare të drogës, të fuste nën kontroll institucionet e pavarura, median dhe biznesin vendas, të kapte tërësisht sistemin gjyqësor nëpërmjet të ashtuquajturës Reformë në Drejtësi, e financuar pjesërisht nga USAID dhe e zbatuar nga Fondacioni Soros; ta kthente Shqipërinë në një lavatriçe multimiliardëshe të pastrimit të parave, të fuqizonte grupet shqiptare të trafikut të drogës në kartele ndërkombëtare me shtrirje nga Amerika Latine në Europë dhe Azi. Vetë Kryeministri Rama u dha koncesione dhe licenca për kazino përfaqësuesve të kartelit meksikan Sinaloa.

Rikthimi i Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë ndryshoi gjithçka. Rama nuk kishte më aksesin e mëparshëm. Prioritetet e administratës së re amerikane ndryshuan dhe kartelet ndërkombëtare të drogës u përcaktuan si organizata terroriste, duke përfshirë edhe kartelin Sinaloa. I njohur për megalomaninë e tij për t’u dukur si lider global, Rama nuk guxoi të udhëtonte për në Nju Jork për të marrë pjesë në sesionin vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me gjasë pas paralajmërimeve private se ishte i padëshiruar.

Në një rast të paprecedentë, mesazhet protokollare të urimit të Presidentit Trump për Presidentin shqiptar dhe të sekretarit Rubio për homologen shqiptare, në nëntorin e vitit të kaluar me rastin e përvjetorit të pavarësisë, përmbanin një gjuhë të koordinuar për kartelet ndërkombëtare të drogës dhe e lidhnin luftën ndaj tyre si prioritet të sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Zyrtarët amerikanë nuk e fshehën angazhimin e tyre në përzgjedhjen e krerëve të rinj të Prokurorisë Speciale (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Menjëherë pas kësaj, këto institucione, që deri para pak muajsh kishin shërbyer si çetë kaçakësh kundër opozitës, duke arrestuar dy liderët e saj dhe duke hapur çështje penale kundër disa të tjerëve, e zhvendosën objektivin drejt zyrës dhe shtëpisë së kryeministrit.

SPAK hapi dosjen e pluhurosur kundër zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjitikës, përgjegjëse për 70% të investimeve publike, për aferën e tunelit të Llogarasë, ku vetë kryeministri është e provuar të jetë i implikuar personalisht në një aferë prej 50 milionë eurosh.

I ndodhur me shpatulla pas muri dhe duke e ndier se “laku amerikan” po i ngushtohej, ai vendosi të ndërmarrë një betejë personale në emër të zëvendëses së tij kundër SPAK-ut, kundër gjykatave, kundër opinionit publik, kundër opozitës që kërkonte shkarkimin e saj. Rama doli në fushëbetejë sepse Prokuroria Speciale kishte guxuar të futej në zyrën e tij.

Ditën që SPAK i kërkoi Parlamentit imunitetin e zëvendëskryeministres për arrestim, imunitet të cilin kryeministri Rama e bëri të ditur se nuk kishte ndërmend ta lëshonte, SPAK ndërmori veprimin tjetër kundër AKSHI-t për abuzime me vlera qindra miliona euro. AKSHI njihet si oborri privat i kryeministrit dhe fondet e saj menaxhohen nga familjarë të tij.

Paralelisht, SPAK bëri kontrolle dhe lëshoi urdhër arresti ndaj Ergys Agasit. Agasi njihet publikisht si koordinatori i tij i krimit. Me aq pak të dhëna sa janë bërë publike nga hetimet, rezulton se Agasi jo vetëm që ishte koordinator i grupeve të krimit të organizuar për llogari të kryeministrit, por ai rezulton të jetë kryeministri në hije. Një individ që jo vetëm përcakton se si shpërndahen paratë publike, por dikush që emëron dhe shkarkon ministra, zyrtarë policie, gjyqtarë e prokurorë.

Një eksponent i krimit të organizuar që kontrollon të gjithë aparatin dhe institucionet e sigurisë kombëtare. Dikush që zyrtarët e lartë të shtetit shkojnë dhe falen në zyrën e tij. Dikush që kishte të klonuar të gjithë sistemin kompjuterik të e-Albania-s, të programit TIMS për kontrollin e kufirit, databazat e policisë dhe shërbimit sekret. Dikush që vendoste se cila çështje penale do të hapej e cila do të mbyllej.

Vetë Agasi është në arrati, sepse operacioni për arrestimin e tij u dekonspirua. Numri i personave përreth Ramës, në qeveri, në familje, në media dhe në biznes, të cilët kanë dosje hetimore të hapura, është i pafund. Praktikisht, të gjithë. Vetë Rama është në krye të kësaj ngrehine.

Përballë kësaj situate dhe një ndryshimi të qëndrimit të administratës amerikane, edhe Bashkimi Evropian duket sikur i ka kthyer shpinën. I gjendur pa mbështetjen amerikane dhe pa atë të Bashkimit Evropian, Rama, me sharlatanizmin e tij tipik, zgjodhi të kërcënonte me afrimin me Kinën.

Aq e dukshme është kriza e Ramës, saqë operacioni i ushtrisë amerikane për kapjen e liderit venezuelian Maduro çoi në një shpërthim të paprecedentë të rrjeteve sociale, të cilat pretendonin që tani SHBA-të do të ndërmerrnin një operacion të ngjashëm kundër Ramës. Vetë opozita nuk u kursye në shpërndarjen e meme-ve që paraqisnin forcat speciale amerikane duke u lëshuar nga helikopterët mbi tarracat e zyrës dhe shtëpisë së kryeministrit.

Talljet në rrjet dhe shpërndarja e meme-ve i hapën rrugë stinës së re të protestave popullore dhe thirrjeve për qeveri teknike.

Ky është Rama sot. Ndërsa prioritetet e Presidentit Trump janë rindërtimi i Gazës, shuarja e konflikteve ushtarake dhe ringritja e SHBA-ve, prioriteti i Ramës është një dhe vetëm një: t’i shpëtojë burgut. Të enjten ai do të udhëtojë në Davos për të nënshkruar Kartën e Bordit të Paqes me shpresë se Presidenti do ta vlerësojë.

Ai nuk i ka 1 miliardë dollarë për të paguar dhe anëtarësia e Shqipërisë është e përkohshme. Por kjo pak rëndësi ka për Ramën. Mund të ofrojë të marrë 100 mijë palestinezë nëse i kërkohet, por kjo do ta vendoste në kurs përplasjeje me Bashkimin Evropian.

Ramës i duhet një foto apo një shtrëngim duarsh me shpresë se do të amnistohet. Ai nuk ka çfarë të ofrojë përveçse zëvendësen e tij Balluku për menaxhimin e tuneleve të Hamasit në Gaza.