Fullkrug si Oliver Giroud, Milani ka gjetur ‘bomberin’ e ri

Niklas Fullkrug po kthehet gjithnjë e më shumë në simbolin e një Milani konkret, pragmatik dhe fitues.

Sulmuesi gjerman, me fytyrën e tij të qeshur dhe buzëqeshjen karakteristike të shënuar nga një dhëmb i humbur në fëmijëri, vendosi edhe këtë herë ndeshjen me një gol prej tri pikësh, nga ata që peshojnë shumë në renditje dhe në moral.

Pas ndeshjes, Fullkrug theksoi rëndësinë e asistit të Salemaekers, duke shtuar: “Çdo sulmues ëndërron krosime të tilla”.

Te Milani aktual, aftësia për të mbushur zonën dhe për të qenë gjithmonë në vendin e duhur duket se i përket vetëm atij.

Shumë tifozë e kanë krahasuar me Oliver Giroud: një sulmues që di të bëjë repart më vete, të luftojë me mbrojtësit, të hapë hapësira për shokët, të ndihmojë ndërtimin e aksionit dhe të bëhet i rrezikshëm në lojën ajrore. Një qendërsulmues “i vjetër”, por ende thelbësor.

Fullkrug ka pranuar se kishte gjetur një repart ofensiv të përbërë nga lojtarë me karakteristika shumë të ndryshme, por pa një pikë referimi klasike.

Me ardhjen e tij, ky boshllëk është mbushur dhe ekuilibrat e skuadrës kanë ndryshuar dukshëm.

Afirmimi i tij i plotë ka ardhur në një ndeshje të lidhur drejtpërdrejt me sfidën kundër Romës, pas golit të Malen.

Një duel mes dy sulmuesve shumë të ndryshëm: Fullkrug, qendërsulmues i pastër dhe fizik, përballë Malen, më modern, më i lëvizshëm dhe më i prirur për sulm në thellësi. Por me një ngjashmëri thelbësore: të dy përfaqësojnë atë që u mungonte skuadrave të tyre, një pikë fikse për lojën sulmuese.

Sfida e “Olimpikos” është një udhëkryq sezonal. Milani nuk mund të lejojë hapa fals në ndjekje të Interit, ndërsa Roma duhet të qëndrojë ngjitur me Napolin dhe të mbajë distancën nga Juventusi.

Përtej stilit të lojës, fitorja është imperativi absolut. Shifrat flasin qartë: Milani ka mbledhur 23 pikë nga 27 të mundshme kundër skuadrave të pjesës së sipërme të tabelës, ndërsa Roma ka hasur vështirësi pikërisht në përballjet direkte me “të mëdhenjtë”.

Ky dallim përforcon debatin mes rezultateve dhe lojës së bukur.

Transferta në Romë hap një cikël vendimtar për Milanin, që do të çojë drejt derbit të marsit kundër Interit.

Kalendari, mes kampionatit dhe angazhimeve europiane të rivalëve, mund të rishkruajë hierarkitë, dhe kur të vijë derbi, do të kuptohet nëse gara për titull do të jetë ende e hapur apo nëse verdiktet kryesore do të jenë tashmë dhënë.