Fermerët e Maliqit në protestë para bashkisë: Qeveria duhet të kompensojë dëmet nga përmbytjet

Fermerë nga Maliqi dolën sot në protestë përpara Bashkisë, duke kërkuar subvencione më të drejtë dhe dëmshpërblime për dëmet që u shkaktuan nga përmbytjet e muajve të fundit.

Ata shprehen të zhgënjyer nga politikat e mbështetjes bujqësore në vend, duke theksuar se ndërkohë që disa shtete fqinje paguajnë subvencione të larta për tokat e punuara, në Shqipëri mbështetja është simbolike dhe nuk përballon as koston e qirave dhe të punës në fushë.

Shumë fermerë tregojnë se për shkak të përmbytjeve dhe mungesës së mbështetjes, nuk kanë mundur të nxjerrin prodhimet nga fusha, si patatet dhe qepët, duke humbur të gjithë investimin dhe përpjekjet e sezonit.

Ata ankohen gjithashtu se shumica e subvencioneve përfitohen nga pronarët e tokave, ndërkohë që ata që punojnë me qira nuk marrin asgjë.

LEXO EDHE: 'Premtimet bosh dhe dështimi i dëmshpërblimeve', Guri: Fermerët e Maliqit të braktisur, shteti po na injoron

Fermerët paralajmërojnë se nëse institucionet nuk marrin masa dhe nuk rishikojnë ligjin për subvencionet, situata do të përshkallëzohet.

Ata janë të vendosur të bllokojnë rrugët kryesore, duke përfshirë edhe Kryqëzimin e Libonikut, për të tërhequr vëmendjen e autoriteteve.

LEXO EDHE: Maliq, fermerët godasin tavolinat gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak: Turp! Ku janë dëmshpërblimet?

Protestuesit kërkojnë një dialog të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Bujqësisë, dëmshpërblim për prodhimet e humbura dhe garanci që investimet e tyre në tokë nuk do të shkojnë kot.

Ata thonë se nuk kërkojnë më shumë se ajo që u takon sipas ligjit dhe investimeve që kanë bërë, duke paralajmëruar se pa veprime konkrete, bujqësia në zonë është në rrezik të falimentimit.