Vatnikaj: Pakti Rama-Meloni simbol i një marrëdhënieje të pabarabartë dhe antidemokratike...

Aktivistja Sidorela Vatnikaj, e ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ka kritikuar marrëveshjen Rama–Meloni për emigracionin, duke e cilësuar atë si tregues të një marrëdhënieje të pabarabartë, jo demokratike dhe jo të sinqertë mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë.

Si pjesë e kolektivit “Mesdhe”, Vatnikaj bëri të ditur se aktivistët kanë paraqitur qëndrimet e tyre edhe në Parlamentin Evropian, ku kanë denoncuar mbështetjen institucionale dhe financiare që, sipas saj, BE-ja i ka dhënë një qeverie të korruptuar dhe autokratike, në dëm të realitetit dhe interesit të qytetarëve shqiptarë.

Sidorela Vatnikaj: Si pjesë e kolektivit ‘Mesdhe’, një kolektiv që është marrë prej dy vitesh duke kundërshtuar marrëveshjen Rama-Meloni, kemi qenë të ftuar në një nga tryezat e diskutimit për çështjen e emigracionit në Parlamentin Evropian. Aty ku kemi patur mundësinë që të flasim se si e kemi parë ne këtë proces edhe porsa i përket paktit Rama-Meloni por edhe përtej saj.

Duke filluar nga fakti që pakti Rama-Meloni është një tregues i një marrëdhënie të pabarabartë që ne e kemi parë vazhdimisht mes Europës dhe Shqipërisë. Pse e them të pabarabartë, jo të sinqertë e jo demokratike, është sepse në gjykimin tim dhe me aq sa kemi patur mundësi të ndjekim ne dhe duke ardhur tek pakti Rama Meloni që ndoshta është simbolika më treguese e kësaj marrëdhënie, ka qenë një mbështetje e pakursyer ndaj një autokrati, të korruptuar, antidemokratik që ne e kemi patur në krye të shtetit që është Edi Rama.

Në këtë kuptim, mendoj që për ne ka qenë e rëndësishme qoftë si aktivistë, qoftë si qytetarë shqiptarë, qoftë si individë që e kemi parë keqqeverisjen, si individë të lirë për të bërë atë detyrë minimale qytetare, që të thënë se si e shohim ne realitetin, sepse për fat të keq, shpesh në Shqipëri e në Tiranë sidomos, realiteti shikohet me sytë e Brukselit. Pra kemi parë tituj bombastikë nga përfaqësues të PE që na tregojnë për progrese që nuk ekzistojnë. Për shembull, ne kemi parë raportin e zgjedhjeve. Është flagrante mungesa e sinqeritetit në deklarata e në raporte të institucioneve evropiane dhe nga ana tjetër mbështjetjen e pakursyer që i kanë dhënë, flas nga ana institucionale por edhe financiare një qeverie të korruptuar, doli që kishte vjedhur jo vetëm paratë e shqiptarëve por edhe fondet e BE-së.

Në këtë kuptim, për ne ka qenë e rëndësishme për të thanë këtë gjë. Edi Rama në mendimin tonë, një nga mbështetjet e veta, të kohës së qeverisjes së vetë, ka qenë mbështjetja e pakursyer e ndërkombëtarëve të cilën ne nuk duam ta pranojmë, qoftë për një marrëdhënie të mirë që duam të kemi me Perëndimin apo Europën apo SHBA për të patur një autokrat vazhdimisht në krye.