U përdor si vegël kundër opozitës/ Prokuroria e Përgjithshme konfirmon: Irena Gjoka rezulton e dënuar në Greqi
Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar se Irena Gjoka, gjyqtarja që u përdor si vegël nga pushteti kundër opozitës, rezulton e dënuar në Greqi.
Kështu thuhet në korrespondencën që ky organ i ka dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor.
"Gjatë hetimeve të thelluara, të kryera nga sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme ka rezultuar se vendimi i autoriteteve greke, për dënimin e shtetases Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare e KLGJ, është autentik", ky ka qenë përfundimi i nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme për rastin e gjyqtares.
Bashkë me vendimin autentik, Prokuroria e Përgjithshme i ka përcjellë KLGJ-së edhe vendimin autentik të arkivimit të prokurorit grek për dënimin për shkak të mos-ekzekutimit.
Prokuroria e Përgjithshme nuk ka kompetencë për të marrë vendim për këtë çështje.
Tani i takon KLGJ-së të marrë vendim për shkarkimin e gjyqtares.
Kujtojmë se opozita e denoncoi fillimisht skandalin e Irena Gjokës, e cila rezulton e dënuar dhe e dëbuar nga Greqia.
Por ajo u mbrojt nga Altin Dumani, i cili nisi hetimet ndaj saj, por e zgjati procedurën për një kohë të gjatë.
Më pas, ai e dërgoi çështjen në Prokurorinë e Përgjithshme me shpresë se ajo do arkivohej.
Tashmë konfirmohet skandali i rëndë në drejtësinë shqiptare.
Pritet se cili do jetë vendimi i KLGJ për atë që mund të konsiderohet një nga aferat më të rënda në të ashtuquajturën drejtësi e re.
Vetë Irena Gjoka mashtroi hapur kur mohoi publikisht dënimin nga autoritetet greke.
“Absolutisht nuk jam e dënuar nga asnjë nga autoritetet e drejtësisë greke,” tha gjyqtarja Irena Gjoka përmes telefonit, ndërsa i përcolli BIRN disa dokumente të përcjella nga autoritetet gjyqësore greke të Athinës, ku shkruhet se nuk rezultojnë të dhëna për ndonjë proces penal ndaj Irena Gjokës, e cila ka mbajtur më parë edhe mbiemrat Shpata dhe Maneku.
Por dokumentet e publikuara nga mediat greke dhe nga opozita shqiptare vërtetuan të kundërtën.
Dokumentet me vulë apostile tregojnë se ajo është dënuar me vendim të formës së prerë.
Në këtë mënyrë Irena Gjoka ka kryer disa krime njëkohësisht. Mbetet të shihet nëse KLGJ do qëndrojë në lartësinë e detyrës.