SYRI TV/ Vijon prej 7 muajsh e bllokuar ura e Milotit si shkak dëmtimi i këmbëve
Vijon të jetë e mbyllur ura e vjetër e Milotit, që lidh Lezhën me Kurbinin, për shkak se nuk kanë përfunduar punimet për përforcimin e këmbëve të saj. Sipas kontratës, ura do të duhet të ishte gati në mesin e muajit nëntor, por dy muaj më pas ajo vijon të jetë e bllokuar, ndërsa punimet për përforcimin e këmbëve të urës nuk kanë përfunduar ende. Deputjetja e PD, Elda Hoti ka ngritur dyshime për abuzime me fondet, ndërsa drejtuesit e mjeteve po ankohen se mbyllja e urës ka sjellë kosto financiare dhe kohore.
SYRI TV
Kjo që shihni në ekran, është dokumenti i tenderit për ndërhyrjen urgjente me qëllim përforcimin e urës së vjetër të Miltotit, që lidh Kurbinin me Lezhën. Siç shihet në dokument, punimet për rehabilitimin dhe forcimin e këmbëve të urës, kanë nisur në datën 18 shtator, ndërsa afati i përfundimit të tyre sipas kontratës do të duhet të ishte data 18 nëntor.
Por, siç shihet nga pamjet, punimet nuk kanë përfunduar kur kanë kaluar më shumë se 4 muaj nga nisja e ndërhyrjes dhe më shumë se 7 muaj nga mbyllja e urës për shkak të rrezikut të shembjes së saj.
Ndërhyrja u prezantua si emergjente për mbrojtjen e themeleve, me një fond prej rreth 1 milion eurosh, ndërsa në terren vërehen ende dëmtime në këmbët mbajtëse të urës. Mbyllja e zgjatur ka sjellë vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve, duke u shkaktuar kosto financiare dhe humbje kohe.
Ndërkohë, zvarritja e punimeve dhe mos hapja e tyre, është denoncuar edhe nga deputetja e PArtisë Demokratike, Elda Hoti, e cila ka ngritur dyshime për abuzime me fondet për ndërhyrjen në këtë urë.
Deri më tani, nuk ka asnjë informacion zyrtar nga ARRSH, se kur ura do të rihapet për qarkullimin e mjeteve dhe lehtësimin e trafikut në këtë zonë.