SYRI TV/ Eksportet në pikiatë, 228 mln euro më pak si shkak i zhvlerësimit të euros
Zhvlerësimi i euros vijon të japë pasoja të rënda për ekonominë shqiptare pasi edhe për vitin 2025 eksportet kanë shënuar rënie në pikiatë. Sipas INSTAT vendi ynë ka eksportuar më pak materiale ndërtimi, lëndë djegëse dhe sektori më i goditur që ka shënuar edhe rënien më të thellë është ai i manifakturës.
SYRI TV
Shqipëria ka marrë 228 milionë euro më pak nga eksportet gjatë vitit 2025, krahasuar me vitin 2024. Shifrat e INSTAT tregojnë se përgjatë 12 muajve eksportet e mallrave arritën në 3 miliardë 460 milionë euro, me rënie prej 6.1% krahasuar me vitin paraardhës kur ishin në vlerën 3 miliardë e 688 milionë euro.
Sipas raportit kemi eksportuar më pak materiale ndërtimi që ranë me -4.5% dhe më pak lëndë djegëse -1.3%.
Shkaku kryesor i kësaj rënie 3- vjeçare të eksporteve tashmë mbetet zhvlerësimi i valutave, sidomos i euros, i cili i ka bërë më të lira produktet shqiptare në tregjet e huaja, por edhe rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Sektori më i goditur nga tkurrja e euros mbetet ai i manifakturës, pasi i ka të gjitha shpenzimet në lekë, ndërsa fitimin që e marr nga bizneset e huaja me të cilët ka edhe kontratat, e ka në euro, pra merr më pak lekë. Prej 2023-shit kur nisi rënia e fortë e eksporteve e deri më tani euro është zhvlerësuar me gati 20.4%, nga 117 lekë në janar të 2023-shit në 96.5 lekë tani.
Ndërsa importet e mallrave zbritën në vlerën 8 miliardë e 872 milionë euro duke u ulur me 0,8%, krahasuar me 2024-ën.
Pozitivisht ka ndikuar importi i energjisë e lëndëve djegëse si dhe të ushqimeve e duhanit. Shtetet me të cilat Shqipëria ka pasur shkëmbimet më të mëdha të mallrave janë Italia, Kina, Greqia dhe Turqia
Eksporte 3.460 mln euro
Importe 8.872 mln euro
Deficiti 5.412 mln euro
EKSPORTE SIPAS SHTETEVE
Itali 1.451 mln euro
Kosova 336 mln euro
Greqi 239 mln euro
Gjermani 224 mln euro
IMPORTET SIPAS SHTETEVE
Itali 1.855 mln euro
Kina 1.188 mln euro
Turqi 852 mln euro
Greqi 701 mln euro