Trump: Dorëzimi i Ishujve Chagos nga Britania e Madhe është një ‘budallallëk i madh’

Presidenti amerikan Donald Trump ka kritikuar ashpër planin e Mbretërisë së Bashkuar për t’ia dorëzuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit, duke e cilësuar atë si një “akt budallallëku të madh”.

Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump shprehu kundërshtimin e tij ndaj marrëveshjes, sipas së cilës Britania e Madhe do të dorëzojë sovranitetin mbi arkipelagun, ndërsa do të mbajë bazën ushtarake në Diego Garcia përmes një marrëveshjeje qiraje.

“Çuditërisht, aleati ynë ‘i shkëlqyer’ i NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, po planifikon t’ia japë ishullin Diego Garcia, ku ndodhet një bazë jetike ushtarake amerikane, Mauritiusit, dhe e bën këtë pa asnjë arsye”, shkroi Trump.

Ai shtoi se kjo marrëveshje është një nga arsyet pse ai ka shprehur dëshirën që Shtetet e Bashkuara të marrin kontrollin e Groenlandës, duke argumentuar se siguria strategjike duhet të jetë prioritet.

Deklaratat e Trump përbëjnë një ndryshim të dukshëm qëndrimi, pasi administrata e tij e kishte mbështetur më herët marrëveshjen. Në maj, Sekretari i Shtetit Marco Rubio e kishte cilësuar atë si një “arritje monumentale”.

Nga ana tjetër, kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka deklaruar se qiraja 99-vjeçare e bazës së përbashkët ushtarake britaniko-amerikane në Diego Garcia do t’i kushtojë Mbretërisë së Bashkuar rreth 101 milionë paund në vit.

Një zëdhënës i qeverisë britanike, duke reaguar ndaj komenteve të Trump, tha se Londra nuk ka bërë kompromis me sigurinë kombëtare.

“Ne vepruam sepse baza në Diego Garcia ishte nën kërcënim pas vendimeve gjyqësore që minuan pozicionin tonë ligjor dhe do ta kishin penguar funksionimin e saj në të ardhmen,” u shpreh zëdhënësi.

Sipas tij, marrëveshja garanton vazhdimësinë e operacioneve të bazës së përbashkët SHBA–Britani për breza me radhë dhe është përshëndetur nga aleatët e “Five Eyes”, si dhe nga vende si India, Japonia dhe Koreja e Jugut.