NBA/ Pas 21 vitesh radhazi, LeBron James nuk do të jetë titullar në ‘All Star Game’
Një epokë simbolike mbyllet në NBA. Pas 21 sezonesh radhazi si titullar në All Star Game, LeBron James nuk do të jetë pjesë e pesëshes startuese në ndeshjen e yjeve për edicionin 2026.
Liga ka bërë publike formacionet zyrtare dhe mungesa e yllit të Los Angeles Lakers është padyshim lajmi më i bujshëm.
LeBron James po zhvillon sezonin e 23-të në karrierën e tij në NBA dhe që nga sezoni i dytë ka qenë gjithmonë mes pesë lojtarëve titullarë në All Star Game, një rekord që tani ndërpritet. Ndeshja e yjeve për vitin 2026 do të luhet më 15 shkurt në “Intuit Dome” të Inglewood, arenë moderne që i përket Los Angeles Clippers.
Megjithatë, gjithçka nuk ka përfunduar për “King James”. Ai ka ende mundësinë të përzgjidhet si rezervë, pasi tashmë vendimi i kalon trajnerëve të NBA-së, të cilët do të zgjedhin edhe 14 lojtarët e tjerë, nga 7 për secilën Conference. Emrat e plotë të skuadrave do të bëhen zyrtarë më 1 shkurt.
Pavarësisht moshës 41-vjeçare, LeBron po zhvillon një sezon konkurrues.
Deri tani ka luajtur 24 ndeshje, ku ka regjistruar mesatarisht 22.6 pikë, 6.9 asistime dhe 5.9 ribaunde për ndeshje.
Ai mbetet një nga figurat më ikonike të All Star Game, duke e fituar tri herë çmimin MVP të ndeshjes së yjeve.
Pesëshet titullare të All Star Game 2026:
Lindja:
Cade Cunningham (Detroit Pistons), Jalen Brunson (New York Knicks), Tyrese Maxey (Philadelphia 76ers), Jaylen Brown (Boston Celtics), Giannis Antetokounmpo (Milwaukee Bucks).
Perëndimi:
Stephen Curry (Golden State Warriors), Shai Gilgeous-Alexander (Oklahoma City Thunder), Luka Dončić (Los Angeles Lakers), Victor Wembanyama (San Antonio Spurs), Nikola Jokić (Denver Nuggets).