'SPAK nuk do të ndalet, Rama i detyruar të lëshojë Ballukun', avokati: Fundi politik i tyre më i afërt se kurrë!

I ftuar ditën e sotme në 'Kafe Shqeto, avokati Përparim Çaça tha se çështja e ish-ministres Belinda Balluku është një pikë kthese që jo vetëm parashikon një fund politik më të shpejtë se sa pritej për të, por sinjalizon se hetimet kanë arritur “brenda në Kryeministri” dhe se tashmë “nuk ka shpëtim”.

Avokati argumentoi se kryeministri Rama mund të jetë i detyruar “ta lëshojë” Ballukun, pas një taktike të dështuar për të testuar tolerancën e faktorit ndërkombëtar, veçanërisht të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara në Tiranë. Kalimi i SPAK nga kërkesa për pezullim në kërkesë për arrestim, shënon një përshkallëzim të situatës.

Tashmë, sipas Çaçës, SPAK është i bindur t'i shkojë çështjes deri në fund, pavarësisht vendimeve politike. Në këtë kontekst, vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e ish-ministres merr një rëndësi që e tejkalon rastin konkret.

Më shumë sesa për fatin e Ballukut, vendimmarrja e Kushtetueses shihet si thelbësore për të krijuar një precedent ligjor për të ardhmen.

Gjykata duhet të japë një përgjigje shteruese mbi çështje themelore si cënimi i parimit të ndarjes së pushteteve dhe konflikti i kompetencave midis pushtetit gjyqësor dhe atij ekzekutiv. Pra, beteja juridike është më e madhe se një emër i vetëm.

E gjithë kjo situatë nuk mund të shihet e shkëputur nga një panoramë më e gjerë ekonomike dhe politike. Analisti thekson se partnerët ndërkombëtarë janë plotësisht në dijeni të problematikës së kapitalit me origjinë të dyshimtë që financon sektorin e ndërtimit dhe ekonominë informale në vend.

“Vazhdon paraja e zezë në këtë vend të mbushë gropa e të ngrejë gradaçela,” tha avokati, duke nënvizuar se një situatë e tillë është e pamundur pa një lidhje të fortë midis politikës vendimmarrëse dhe karteleve kriminale. 

Deklarata e plotë

“Rama do ta lëshojë dhe Ballukun. Kështu kështu mendoj unë. Pra, e ka bërë të gjitha tentativat, ishte një taktikë për të parë nëse faktori ndërkombëtar, dhe këtu kur themi faktori ndërkombëtar flas për përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, mund të kishin një tolerim përsa i përket zonjës Balluku në lidhje me mosdhënien po themi të autorizimit.

Por nëse do të ndodhi një gjë e tillë, unë besoj që fundi i tij do të jetë shumë herë më i shpejtë sesa ne që kishim menduar për, ndoshta në muajt e parë po themi, apo nga nga marsi, nga prilli. Kështu që duket realisht që ka një përplasje edhe me me faktorin ndërkombëtar në lidhje me këtë pikë.

Nuk kanë të njëjtën qasje, të njëjtën po themi, këtu ishim në rastin e zotit Berisha, ishte një shpejtësi marramendëse, po themi për marrjen e e vendimit nga Këshilli i Mandateve.

Nuk e kuptojmë fare se si mund të lësh një komision, i cili ndërpret punimet dhe nuk ka datë. Nuk ka rëndësi. Ka gjithmonë një datë të afërt, po themi, mund të ishin pushime, tre ditë, katër ditë, pesë ditë.

Masat e sigurimit janë masa të karakterit emergjent, nuk mund të presim pafundësisht. Pra në çdo moment, pra SPAK thotë që çdo ditë, çdo orë që kjo zonja qëndron në këtë post, prandaj kërkoj pezullimin në çdo kohë, do të thotë që prish provat, rrezikon po themi hetimin në përgjithësi sepse e gjitha është në funksion të hetimit.

Kështu që SPAK jam i bindur që do t'i shkojë absolutisht deri në fund kësaj situate. Nuk e shpëton qoftë edhe po mos i jap po themi autorizimin. Por tashmë e gjitha po themi vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese është më shumë për efekt po themi të praktikës gjyqësore, po themi ose më mirë të themi të praktikës së Gjykatës Kushtetuese për raste të tjera, sesa për rastin e izoluar pra Balluku në rastin konkret, sepse tashmë ka rënë, pra nuk kemi, nuk kërkon më SPAK pezullim, SPAK kërkon të arrestojë, pikë. Pra është një situatë totalisht tjetër.

E gjitha kjo është vetëm thjesht përsa i përket këtij faktit që do të duhet që Gjykata Kushtetuese të japë një përgjigje shteruese në lidhje me faktin që ka cënim të parimit të ndarjes së pushteteve?

Ka po themi konflikt kompetencash midis këtyre dy institucioneve, pra po flasim pushtetin gjyqësor edhe pushtetin ekzekutiv, dhe nëse është cënuar garancia kushtetuese e një anëtari të qeverisë, pra të kabinetit qeveritar i cili ka të njëjtin imunitet me atë të deputetit.

Kështu që kjo ka më shumë rëndësi përsa i përket aspektit juridik sesa përsa i përket rastit të Ballukut. Shiko edhe për ta përmbledhur po themi dhe atë pjesën për deklaratat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këta, i rren mendja disa herë që Shtetet e Bashkuara nuk e di se çfarë shteti kanë krijuar. Pra nuk e dinë shumë mirë se çfarë shteti kanë krijuar në kuptimin e asaj se nga vjen ky kapital? Çfarë ndodh me zonat luksoze në Tiranë? Çfarë ndodh në sektorin e ndërtimit?

Ta mendojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë informacion? Që ajo para që është atje, ai kapital atje, vjen dhe futet këtu? Pra nuk mund të bësh, po themi në rastin konkret, të ndërtosh, të jesh një vend i zhvilluar, të jesh një vend demokratik, duke qenë një me një ekonomi kaq informale sa ç'është ekonomia jonë.

Vazhdon paraja e zezë në këtë vend të bëjë të të mbushë gropa, të të të të ngrejë gradaçela e të tjera e të tjera.

Është e pamundur që e gjithë kjo, kjo situatë mos jetë midis, po themi, një lidhje të fortë midis politikës, po flas në kuptimin e politikës vendimmarrëse, edhe këtyre karteleve".