Rikthehet Champions League/ ‘Luftë’ e hapur për tetëshen e parë, spikat Inter-Arsenal

Liga e Kampioneve rikthehet sonte me një program të ngjeshur prej nëntë ndeshjesh, ku vëmendja kryesore përqendrohet te përballja Inter–Arsenal.

Dy javët e fundit të fazës do të jenë vendimtare për përcaktimin e 24 skuadrave që do të vazhdojnë më tej, ndërsa gara për tetëshen e parë mbetet plotësisht e hapur.

Asnjë ekip nuk e ka ende të sigurt kualifikimin direkt mes tetë më të mirave.

Arsenali është shumë pranë objektivit, por matematikisht nuk është ende i siguruar.

Londinezët kanë regjistruar gjashtë fitore në gjashtë ndeshje dhe u duhet vetëm një pikë për të mbyllur llogaritë, por ajo duhet marrë në fushën e Interit.

Zikaltrit nisën fuqishëm me katër fitore radhazi, por u ndalën në dy humbje rresht, çka e bën këtë sfidë edhe më delikate.

Në kërkim të pikëve të arta do të jenë edhe Borussia Dortmund dhe Tottenham, që përballen mes tyre, si dhe Chelsea dhe Barcelona e drejtuar nga Hansi Flick.

Megjithatë, kualifikimi direkt për këto dy të fundit duket i vështirë, pasi Atalanta dhe Atletico Madrid, dy “outsiderë” të turneut, kanë grumbulluar nga 13 pikë dhe kanë avantazh të rëndësishëm edhe në golavarazh.

Ky faktor mund të rezultojë vendimtar në rast barazimi pikësh. Ndërkohë, një tjetër ndeshje për t’u ndjekur është ajo mes Real Madridit dhe Monakos.

“Los Blancos” ndodhen aktualisht në vendin e shtatë dhe një fitore do të qetësonte ambientin pas javëve të trazuara. Vëmendje e veçantë do të jetë edhe për Kylian Mbappé, i cili do të përballet me ish-skuadrën e tij, por për një profesionist si ai, ndjenjat do të mbeten në plan të dytë.