Interi mendon për të ardhmen, siguron talentin kroat të Dinamos së Zagrebit

Interi ka mbyllur një tjetër goditje me perspektivë për të ardhmen, duke siguruar shërbimet e Leon Jakirovic, mbrojtës kroat i lindur në vitin 2008, i cili vjen nga radhët e Dinamo Zagrebit. Lajmi është konfirmuar nga eksperti i merkatos, Fabrizio Romano, duke bërë të ditur se marrëveshja mes dy klubeve tashmë është arritur.

Sipas detajeve të zbuluara, klubi zikaltër do të paguajë 2.5 milionë euro, të shoqëruara me 2 milionë euro bonuse, si dhe një përqindje mbi shitjen e ardhshme të lojtarit, një formulë që kënaq edhe klubin kroat. Jakirovic, mbrojtës qendror me këmbë të majtë, konsiderohet një nga talentët më premtues në vendin e tij dhe është ndjekur prej kohësh nga disa klube europiane.

Interi ka arritur të fitojë garën ndaj RB Salzburg-un, falë edhe marrëdhënieve shumë të mira me agjentët e lojtarit, të cilët përfaqësojnë gjithashtu mesfushorin Sucic. Ky faktor ka rezultuar vendimtar për të bindur Dinamon dhe lojtarin të zgjedhin projektin zikaltër.

Jakirovic pritet të udhëtojë këtë javë drejt Italisë, ku do të kryejë vizitat mjekësore përpara firmosjes zyrtare të kontratës. Fillimisht, ai do të integrohet gradualisht në strukturat e klubit, me Interin që synon ta zhvillojë në mënyrë të kontrolluar, duke parë tek ai një investim të rëndësishëm për vitet e ardhshme.

Një tjetër sinjal i qartë se Interi vazhdon të mendojë jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen.