Ftesa e Trump/ Shehu: Ka vlerë diplomatike, por mori vlerë politike
Ftesa e presidentit Donald Trump Që Shqipëria të bëhet pjesë e bordit që pritet ta mbikëqyrë udhëheqjen e Gazës, të njohur si Bordi i Paqes ka vlerë diplomatike por mori vlerë politike për shkak të situatës, analizon Jonida Shehu e ftuar në studion e ‘Çim Peka Live’ në Syri TV.
Ajo thotë se ftesa përfaqëson një vlerësim për Shqipërinë dhe një njohje të rolit të saj si një partnere stabël dhe aleate e SHBA-së në një botë të trazuar gjeopolitikisht.
"Pjesëmarrja në një bord të tillë, edhe pse pa pagesë për periudhën trevjeçare, konsiderohet një “plus” për imazhin ndërkombëtar të vendit. Ky pozicionim shihet si një sinjal stabiliteti që i përgjigjet dëshirës së qytetarëve shqiptarë për siguri dhe njëherësh kundërshton narrativën e opozitës se marrëdhëniet me aleatin strategjik janë ftohur.” A e duan shqiptarët këtë gjë? Unë besoj që e duan. Shqiptarët, në gjithë këtë rrëmujë të madhe gjeopolitike, që ndonjëherë e kuptojnë, ndonjëherë nuk e kuptojnë, duan të jenë të sigurt, duan stabilitet për vendin e tyre.
Me aq sa mund të kuptojnë shqiptarët nga gjeopolitika dhe nga rreziqet që mund t'i vijnë Shqipërisë. Prezenca në këtë bord tregon që ne kemi stabilitet. Domethënë, jemi një vend stabël që konsiderohemi si stabël nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe konsiderohemi për të qenë pjesë e një bordi për të ringritur një vend që është në konflikt si Gaza."
Ajo thotë se ftesa po trajtohet politikisht.
Letra ka shkaktuar një lloj reagimi për interpretimin politik. Sepse kjo letra vjen në një kontekst kur e gjithë atmosfera politike ishte e ngritur, domethënë të gjithë po prisnim do arrestohet Rama nesër apo pasnesër nga SPAK-u, sepse SPAK-u mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
U bë më e rëndësishme se ç'kishte vlerë diplomatike për shkak të kontekstit politik në të cilin erdhi.
Rëndësia e letrës bëhet politike sepse konteksti i shtruar përpara se letra të vinte ishte shumë politik dhe të gjithë po prisnin që Ramës Amerika ia ka prerë filmin dhe na doli krejt e kundërta.
Po a e ndalon hetimin e SPAK kjo letër që i vjen Ramës?
Nuk ka se si, tha Shehu.