VIDEO/ Martini e tepron sërish, karton i kuq pas festimit provokues ndaj Dinamos

Trajneri i Vllaznisë, Edi Martini, u bë sërish protagonist për arsye jashtë fushës së lojës, duke përsëritur gjeste të cilësuara si antisportive në sfidën ndaj Dinamos. Pas golit të dytë të shkodranëve, të shënuar nga Kallaku në minutën e 84-t, tekniku nuk u përmbajt dhe reagimi i tij solli pasoja të menjëhershme.

Ashtu si edhe në përballjen e fazës së dytë mes dy skuadrave, Martini zgjodhi të festojë në mënyrë provokuese. Këtë herë, gjesti u drejtua nga tribuna e stadiumit “Air Albania”, duke tërhequr vëmendjen e arbitrit kryesor, Enea Jorgji. Pa hezitim, gjyqtari e ndëshkoi trajnerin me karton të kuq, duke e larguar nga stoli.

Gjesti i pahijshëm i Martinit

Ky episod e bën Martinin trajnerin më të ndëshkuar me kartonë të kuq në këtë edicion të Superiores, një statistikë që flet qartë për tensionet dhe sjelljet e përsëritura të tij gjatë ndeshjeve. Përveç ndëshkimeve në fushë, ai ka qenë më herët edhe subjekt i masave disiplinore nga Komisioni i Disiplinës.

Si pasojë e këtij kartoni të kuq, Martini do të mungojë sërish në pankinë, për të dytën here radhazi ndaj Partizanit, duke i krijuar një tjetër mungesë të rëndësishme Vllaznisë në një ndeshje delikate të kampionatit.