Vllaznia triumfon ndaj Dinamos në ‘Air Albania’, ndeshja ndërpritet 40 minuta nga mungesa e energjisë ekektrike
Vllaznia ka marrë një fitore shumë të rëndësishme ndaj Dinamos, duke u imponuar me rezultatin 2–0 në stadiumin “Air Albania”, në një përballje të shoqëruar nga një situatë e rrallë për futbollin shqiptar. Shkodranët jo vetëm që dolën fitues në fushë, por me këto tri pikë u ngjitën në vendin e dytë të renditjes, me tri pikë më shumë se Dinamo dhe vetëm dy më pak se Egnatia kryesuese.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 32-të, kur arbitri Jorgji akordoi penallti për Vllazninë pas një ndërhyrjeje në zonë ndaj Bismark. Nga pika e bardhë, Bekim Balaj u tregua i saktë, duke mposhtur Teqjen dhe duke u dhënë avantazhin shkodranëve.
Në pjesën e parë, Vllaznia kishte edhe një rast flagrant në minutën e 6-të, kur Jago përfitoi nga një top i ardhur nga Meksi dhe goditi fort, por sfera u ndal në pjesën e jashtme të shtyllës. Edhe Balaj dhe Bismark u shfaqën disa herë rrezikshëm në zonë, duke konfirmuar kontrollin e miqve.
Pjesa e dytë nisi me 40 minuta vonesë, për shkak të një ndërprerjeje të rëndë të energjisë elektrike në kryeqytet, që la të fikur projektorët e stadiumit menjëherë pas pushimit. Vetëm pasi energjia u rikthye dhe skuadrat zhvilluan një nxehje të shkurtër, takimi rifilloi.
Në minutën e 58-të, Jago ishte sërish pranë golit me një goditje të fuqishme nga e majta, por shtylla i mohoi dyfishimin. Goli i qetësisë erdhi në minutën e 85-të, kur një kundërsulm i shpejtë u finalizua në mënyrë perfekte nga Kallaku, i cili vulosi fitoren 2–0.
Në minutën e 86-të, trajneri i Dinamos, Martini, u ndëshkua me karton të kuq për festimin e tij me gjeste antisportive, duke mbyllur një mbrëmje të tensionuar në “Air Albania”.