SYRI TV/ Berisha: 24 janari do jetë protesta më e fuqishme, zemërimi e guximi shqiptarëve do derdhet në shesh
Protesta e 24 janarit do të jetë protesta më e madhe që ka njohur ndonjëherë Shqipëria. Kështu është shprehur kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në foltoren para Kryeministrisë. Berisha iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës, e cila ka vetëm një qëllim: rrëzimin e Edi Ramës. Ai komentoi gjithashtu praninë e Belinda Ballukut në Parlament, duke e cilësuar si provokim, si dhe dokumentin e miratuar nga Kongresi Amerikan për Shqipërinë.
Në foltoren e zhvilluar këtë të hënë para Kryeministrisë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve t’i bashkohen protestës së opozitës të shtunën, më 24 janar. Berisha tha se kjo protestë do të jetë më e fuqishmja që Shqipëria ka njohur ndonjëherë dhe, për këtë arsye, sipas tij, asnjë qytetar që kërkon rrëzimin e Edi Ramës nuk duhet të mungojë.
Berisha komentoi edhe praninë e zëvendëskryeministres Belinda Balluku në seancën e sotme parlamentare, të cilën e cilësoi si një provokim të Edi Ramës.
Kreu i selisë blu komentoi gjithashtu dokumentin e dalë nga Kongresi Amerikan për Shqipërinë. Sipas Berishës, ky dokument vë në dukje se nga afera e AKSHI-t nuk është e kërcënuar vetëm Shqipëria, por edhe NATO.