Ndahet nga jeta regjisori i ‘Mbretit Luan’ dhe një nga figurat më të talentuara të filmave të Walt Disney
Është ndarë nga jeta në moshën 76-vjeçare Roger Allers, skenaristi dhe regjisori i njohur amerikan, i cili bashkë-regjizoi filmin legjendar të animacionit të Disney, ‘Mbreti Luan’ (1994), si dhe kontribuoi në disa nga klasikët më të mëdhenj të studios, përfshirë ‘Aladdin’, ‘E bukura dhe Bisha’ dhe ‘Sirena e Vogël’.
Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është konfirmuar nga miq dhe bashkëpunëtorë të afërt, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe vlerësimin për trashëgiminë artistike që ai la pas.
Dave Bossert, mbikëqyrës i efekteve vizuale në Walt Disney Company, shkroi në rrjetet sociale se humbja e Allers ishte tronditëse:
‘Jam thellësisht i trishtuar nga lajmi se miku ynë Roger Allers ka ndërruar jetë. Jemi shkëmbyer me e-mail vetëm javën e kaluar, ndërsa ai ndodhej në udhëtim në Egjipt, gjë që e bën këtë humbje edhe më të pabesueshme. Roger ishte një artist dhe regjisor jashtëzakonisht i talentuar, një shtyllë e vërtetë e rilindjes së animacionit Disney.’
Bossert theksoi gjithashtu karakterin njerëzor të regjisorit:
‘Ishte pa dyshim një nga njerëzit më të mirë me të cilët mund të punoje. Bashkë-regjizoi ‘Mbretin Luan’, një sukses fenomenal, por kurrë nuk u mburr. Kishte një shpirt të gëzueshëm, bujar dhe entuziast që i ngrinte të gjithë përreth. Bota është më e errët pa të. Prehu në paqe, mik.’
Edhe Bob Iger, CEO i Disney, i ka kushtuar një homazh Allers në Instagram, duke e cilësuar atë si një vizionar krijues:
‘Roger Allers ishte një vizionar kreativ, kontributet e të cilit në Disney do të jetojnë për breza të tërë. Ai e kuptonte fuqinë e rrëfimit të madh – si personazhet e paharrueshme, emocionet dhe muzika mund të bashkohen për të krijuar diçka të përjetshme.’
Iger shtoi se puna e Allers ndihmoi në përcaktimin e një epoke të artë të animacionit, që vazhdon të frymëzojë publikun në mbarë botën.
Roger Allers lindi në vitin 1949 në New York dhe u rrit në Arizona. Ai u dashurua me animacionin që në moshën pesëvjeçare, pasi pa filmin ‘Peter Pan’ të Disney-t, një përvojë që do të përcaktonte gjithë karrierën e tij artistike.
Trashëgimia e tij mbetet e gjallë përmes filmave që shënuan historinë e animacionit dhe rritën breza të tërë me magjinë e Disney-t.