Kërnaja: Problem ta fusim, problem të mos ta fusim Skukën

Partizani i Oltijon Kërnajës u rikthye te fitorja këtë javë, duke mposhtur Teutën 2-1 në stadiumin “Arena e Demave” në kuadër të javës së 20-të të Superiores.

Pas ndeshjes, trajneri Kërnaja komentoi lojën dhe zgjedhjet taktike, veçanërisht aktivizimin e Skukës: “Ndoshta do të duhej ta kishim futur pak më herët, por duke pasur presingun tonë larg zonës me Tomën dhe Contreras, zgjodhëm një mënyrë tjetër. Në momentin e duhur, gjithçka u zgjidh si duhet,” tha tekniku i kuqve.

Ai tregoi gjithashtu strategjinë që kishin menduar: “Ne planifikuam të zbrisnim Ismailin, të bënim një katërshe dhe të linim Koten të lirë mes linjave, duke marrë parasysh që Teuta luan 4-4-2 me presing. Në pjesën e parë funksionoi, duhet t’i japim meritë Teutës që ka disa javë pa humbur. Ekipi i tyre është i fortë dhe nuk pëson shumë gola.”

Kërnaja pranoi se organizimi kishte sfidat e veta, duke pasur parasysh që dyshja qendrore e mbrojtjes ishte në debutim: “Kjo ishte ndeshja e tyre e parë bashkë, prandaj kishte pak probleme në organizim, por skuadra reagoi mirë.”