Mendimi pozitiv mund të forcojë imunitetin për t’iu përgjigjur më mirë vaksinimit

Mendimet pozitive mund të forcojnë sistemin imunitar, sipas një studimi që tregon një lidhje midis mendjes dhe mbrojtjes natyrore të trupit tonë.

Shkencëtarët kanë zbuluar se njerëzit që përdorën të menduarit pozitiv për të rritur aktivitetin në sistemin e shpërblimit të trurit iu përgjigjën më mirë vaksinimit, me sistemin e tyre imunitar që prodhoi më shumë antitrupa se të tjerët pas vaksinimit.

Kjo punë nuk do të thotë që të qenit optimist mund t’i shpëtojë njerëzit nga sëmundjet, por lë të kuptohet potenciali i strategjive mendore për të ndihmuar sistemin imunitar të luftojë infeksionet dhe madje të sulmojë tumoret për t’i mbajtur ato larg.

“Është demonstrimi i parë tek njerëzit, në atë që duket të jetë një mënyrë shkakësore, se nëse mësoni se si të rekrutoni sistemin tuaj të shpërblimit në tru, efektiviteti i imunizimit rritet”, tha Talma Hendler, një profesoreshë e psikiatrisë dhe neuroshkencës në Universitetin e Tel Avivit.

Punimet e mëparshme kanë treguar se nga  pritjet pozitive mund të përfitojnë pacientët me disa probleme mjekësore, siç shihet në efektin placebo. Dhe, ndërsa studimet në kafshë sugjerojnë se aktivizimi i sistemit të shpërblimit të trurit mund të forcojë mbrojtjen imunitare, pamja tek njerëzit ka qenë më pak e qartë.

Në studim, vullnetarë të shëndetshëm morën pjesë në seanca trajnimi të trurit, në të cilat provuan strategji të ndryshme mendore për të rritur aktivitetin në pjesë të veçanta të trurit. Ata e dinin se sa mirë po vepronin falë reagimeve në kohë reale, në formën e rezultateve që rriteshin në përputhje me aktivitetin e trurit.

Pas katër seancave stërvitore, vullnetarëve iu dha një vaksinë kundër hepatitit B. Pastaj ata dhanë gjak dy dhe katër javë më vonë, të cilin studiuesit e analizuan për antitrupa kundër hepatitit.

Shkencëtarët zbuluan se njerëzit që rritën aktivitetin në një pjesë të sistemit të shpërblimit të trurit të quajtur zona tegmentale ventrale (VTA), kishin përgjigje imune më të fortë ndaj vaksinës. Ata që e rritën atë me më shumë sukses, e bënë këtë përmes pritjeve pozitive ose duke imagjinuar gjëra të mira që po ndodhnin.

Efekti mund të jetë i dobishëm në forcimin e sistemit imunitar të pacientëve, por nevojiten prova më të mëdha për të treguar nëse ka ndonjë përfitim të qartë mjekësor. Dr. Tamar Koren, një bashkautore, tha se ekipi po hetonte nëse pjesë të tjera të sistemit imunitar ishin prekur gjithashtu, siç është ajo përgjegjëse për inflamacionin.

 “Qasja që testuam është menduar vetëm si një mjet plotësues që mund të rrisë reagimin imunitar ndaj vaksinimit”, tha Dr. Nitzan Lubianiker, një autor kryesor i studimit. “Ajo nuk mund dhe nuk ka për qëllim të zëvendësojë vaksinat ose kujdesin standard mjekësor.”

Jonathan Kipnis, profesor i patologjisë dhe imunologjisë në Universitetin e Uashingtonit në St Louis, u pajtua. "Ndoshta është shumë herët për të nxjerrë përfundime në lidhje me shkallën e rëndësisë klinike", tha ai. "Nëse efekte të tilla do të tregoheshin të rëndësishme klinikisht në një provë klinike më të madhe, ato ka shumë të ngjarë të plotësojnë trajtimet e vendosura."

Jeremy Howick, një profesor i kujdesit shëndetësor empatik në Universitetin e Leicesterit, tha se efekti ishte i vogël dhe paralajmëroi se pacientët e sëmurë në një klinikë mund të reagojnë ndryshe, por ai prapëseprapë pa anët pozitive. Ai tha: “Duke pasur parasysh që profesionistët e kujdesit shëndetësor janë të lirë të thonë gjëra që mund të gjenerojnë pritje pozitive, pa ekzagjeruar, si: 'Ne do të bëjmë çmos për t'u kujdesur për ju', ose: 'E kam parë këtë trajtim të funksionojë për njerëz si ju', ky është një sinjal mjaft i fuqishëm, që sugjeron se duhet të bëjmë më shumë prej tij.”/ Guardian.