Shuhet Valentino, perandori i Modës
Perandori nuk është më. Valentino Garavani u nda nga jeta në moshën 93-vjeçare në Romë, atdheu i tij i zgjedhur me zemër, ku kishte vendosur të jetonte dhe të punonte gjithmonë. Nuk është e nevojshme të jesh i apasionuar pas modës për ta kuptuar sa e madhe është kjo humbje për botën: fama e Valentinos i kapërcen trendet, shijet dhe madje edhe brezat.
Të gjithë e dinë kush ishte, dhe të gjithë e dinë sa shumë krijimet dhe idetë e tij kanë lënë gjurmë në kulturën bashkëkohore. “Çfarë dëshirojnë gratë? Të jenë të bukura”.
Kështu e përmblidhte ai vizionin e tij, që nga viti 1959, kur themeloi maison-in e tij në Romë, e deri në vitin 2007, kur zgjodhi të tërhiqej.
Para modës, sfilatave dhe tapetit të kuq, Valentino synonte t’i bënte gratë të bukura. Ato e kanë kuptuar gjithmonë këtë dhe, për këtë arsye, e ngritën në Olimpin e krijuesve që në fillimet e tij.
"Valentino Garavani u nda nga jeta sot në rezidencën e tij romane, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur shkruhet në njoftim, ndërsa homazhet do të mbahen në Piazza Mignanelli 23, të mërkurën më 21 janar dhe të enjten më 22 janar, nga ora 11:00 deri në 18:00. Ceremonia mortore do të zhvillohet të premten, më 23 janar, në Bazilikën Santa Maria degli Angeli e dei Martiri, Piazza della Repubblica 8, në Romë, në orën 11:00, thuhet në njoftimin zyrtar.
Kush ishte Valentino
Jeta e Valentinos është legjendë
Ai lindi në Voghera më 11 maj 1932 dhe që fëmijë, siç do të tregonte më vonë, ishte i magjepsur nga bukuria: një nga anekdotat që u bë legjendë është epifania e tij kur, ende adoleshent, shoqëron familjen në Operën e Barcelonës. Atje, i rrethuar nga dhjetëra zonja jashtëzakonisht elegante të veshura me të kuqe, kupton se sa shumë u shkon kjo ngjyrë të gjithave; në atë çast e zgjedh përgjithmonë si ngjyrën e tij simbol
Valentino Garavani, i regjistruar në gjendjen civile si Clemente Ludovico Garavani, lindi më 11 maj 1932 në Voghera, në një familje modeste. Që në fëmijëri u dallua për shpirtin e tij ëndërrimtar dhe pasionin për bukurinë, të ushqyer nga dashuria për kinemanë dhe nga edukimi i rreptë, por formues, i nënës së tij Teresa.
Në fillim të viteve ’50 ai la Italinë për Parisin, kryeqytetin e haute couture-it, ku u formua profesionalisht pranë disa prej emrave më të mëdhenj të modës, përfshirë Jean Dessès dhe Guy Laroche, duke u frymëzuar nga figura ikonike si Coco Chanel, Christian Dior dhe Cristóbal Balenciaga. Pas kësaj përvoje, u kthye në Romë, ku hapi atelienë e tij në Piazza Mignanelli, së bashku me partnerin dhe bashkëpunëtorin e jetës, Giancarlo Giammetti.
Këtu lindi shtëpia e modës Valentino, simbol i elegancës absolute, i përkushtimit ndaj mjeshtërisë dhe i një estetike që do të shënonte historinë e modës ndërkombëtare. Me një vizion të përjetshëm dhe një rigorozitet të rrallë, Valentino Garavani u bë një nga stilistët më të mëdhenj të shekullit XX, duke lënë pas një trashëgimi që do të jetojë përtej kohës.