Morata dhe Alice Campello janë ndarë, sulmuesi është larguar nga shtëpia
Zëra gjithnjë e më këmbëngulës vijnë nga Spanja për një krizë të thellë mes Álvaro Moratës dhe bashkëshortes së tij, Alice Campello. Këtë herë, ndryshe nga herët e tjera, çifti ka zgjedhur heshtjen totale, pa asnjë reagim apo sqarim në rrjetet sociale, gjë që ka ushqyer edhe më shumë spekulimet për një ndarje përfundimtare.
Sipas revistës prestigjioze spanjolle Hola, sulmuesi spanjoll është larguar nga shtëpia familjare dhe është transferuar në një banesë tjetër në Milano, shumë pranë asaj ku kanë mbetur Alice dhe katër fëmijët e tyre: binjakët Alessandro dhe Leonardo (2018), Edoardo (2020) dhe vajza më e vogël, Bella (2023).
Revista ka publikuar edhe disa fotografi të datës 9 janar, ditën kur Bella festoi ditëlindjen e tretë. Në pamje shihet Morata teksa shkon në shtëpinë ku jetojnë Alice dhe fëmijët për të marrë pjesë në festë, ndërsa më pas, gjatë pasdites, largohet i vetëm. Ky episod ka forcuar bindjen se dyshja nuk jeton më nën të njëjtën çati.
Ditët e fundit, Alice Campello kishte reaguar për të mohuar zërat që flisnin për një tradhti të Moratës me modelen Elena Sirigu. Influencuesja italiane e kishte mbrojtur hapur Sirigu-në, duke theksuar se bëhej fjalë për një mike të vjetër dhe se akuzat ndaj saj ishin të padrejta dhe të dhimbshme.
Megjithëse as Morata dhe as Campello nuk kanë konfirmuar apo përgënjeshtruar ndarjen, heshtja e tyre dhe zhvillimet e fundit lënë të kuptohet se marrëdhënia po kalon një nga momentet më të vështira. Për momentin, gjithçka mbetet në pritje të një reagimi zyrtar nga vetë çifti.