Zyrtare/ Manchester City firmos me Marc Guéhi-n, kontratë deri në verën e vitit 2031

Manchester City ka zyrtarizuar përforcimin e radhës në repartin e mbrojtjes, duke njoftuar transferimin e Marc Guéhi-t nga Crystal Palace. Klubi i Pep Guardiolës ka konfirmuar se mbrojtësi anglez ka firmosur një kontratë pesëvjeçare e gjysmë, e cila do ta mbajë në “Etihad” deri në verën e vitit 2031.

Guéhi, 25 vjeç dhe pjesë e rregullt e kombëtares angleze, vjen pas disa sezoneve shumë pozitive me Crystal Palace, ku u shndërrua në një nga liderët e prapavijës dhe një prej mbrojtësve më të qëndrueshëm të Premier League. Me këtë lëvizje, Manchester City forcon më tej mbrojtjen, duke shtuar cilësi, siguri dhe eksperiencë në një skuadër tashmë të mbushur me ‘yje’.

Në deklaratën e tij të parë si lojtar i City-t, Guéhi nuk e fshehu emocionin: “Jam vërtet shumë i lumtur dhe jashtëzakonisht krenar që jam lojtar i Manchester City-t. Ky transferim është shpërblimi i gjithë punës së madhe që kam bërë në karrierën time. Tani jam te klubi më i mirë në Angli dhe pjesë e një skuadre të jashtëzakonshme lojtarësh. Është një ndjesi e bukur ta thuash këtë”.

Kalimi te City përfaqëson një hap të madh në karrierën e Guéhi-t, i cili tashmë do të ketë mundësinë të garojë për trofe të mëdhenj si Premier League dhe Champions League. Stafi teknik i Pep Guardiolës pritet ta integrojë gradualisht në sistemin e skuadrës, ku aftësitë e tij në mbrojtje dhe ndërtimin e lojës nga prapa vlerësohen shumë.