Conte në telashe, Rrahmani dhe Politano mungojnë edhe ndaj Juventusit, Lukaku rikthehet në Champions
Napoli merr lajme shumë të këqija në një moment vendimtar të sezonit. Pas konfirmimit se Amir Rrahmani dhe Matteo Politano nuk do të ishin gati për ndeshjen e Champions League ndaj Kopenhagenit, klubi ka bërë të ditur se të dy lojtarët do të mungojnë edhe në supersfidën e së dielës kundër Juventusit.
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, Napoli ka sqaruar se Politano ka pësuar një lezion distraktiv të muskulit semimembranoz të kofshës së djathtë, ndërsa Rrahmani një lezion distraktiv në gluteusin e majtë. Të dy futbollistët kanë nisur tashmë fazën e rehabilitimit, por për Antonio Conte-n këto janë mungesa shumë të rënda, si në aspektin taktik, ashtu edhe në atë të eksperiencës.
Në Champions League, ndaj danezëve të Kopenhagenit, janë në lojë pikë jetike për zonën “play-off”, pasi të dyja skuadrat kanë nga 7 pikë. Ndërkohë, në kampionat, Napoli do të duhet të përballet me Juventusin e drejtuar nga Luciano Spalletti pa dy titullarë, duke synuar të qëndrojë pranë dy skuadrave milaneze në krye dhe njëkohësisht të mbajë bardhezinjtë në distancë.
Sa u përket kohëve të rikuperimit, Rrahmani pritet të mungojë nga dy deri në katër javë, ndërsa ndalesa e Politano-s do të zgjasë rreth një muaj. Jashtë vazhdon të mbetet edhe David Neres, i cili ende ndien dhimbje në kyçin e këmbës dhe shpresohet të rikthehet për ndeshjen Napoli–Chelsea më 28 janar.
Nga ana tjetër, vjen një lajm pozitiv: Romelu Lukaku është grumbulluar për transfertën në Danimarkë. Sulmuesi belg është klinikisht i rikuperuar dhe do të ulet në stol, por Conte pritet ta aktivizojë vetëm në rast nevoje ekstreme, për të shmangur çdo rrezik rikthimi të dëmtimit.