Mbappé mbron Xabi Alonso-n dhe Vinicius-in: Nuk do të bëj budallain, sigurisht që kanë ndodhur gjëra
Kylian Mbappé ka dalë hapur në mbrojtje të shokëve të skuadrës dhe ish-trajnerit Xabi Alonso, në një konferencë për shtypin të mbajtur në Valdebebas, në një moment delikat për Real Madridin. Pas një jave të ngarkuar me tensione, humbjen në Kupë dhe shkarkimin e trajnerit, sulmuesi francez foli me qetësi, por edhe me vendosmëri, duke dhënë mesazhe të forta për ambientin madridist.
Lidhur me fishkëllimat e tifozëve në “Bernabéu”, Mbappé u shpreh se i kupton reagimet: “Edhe unë, para se të isha futbollist, kur nuk isha i kënaqur, fishkëlleja. Është e drejta e tifozëve. Por nuk më pëlqeu që u shënjestruan disa lojtarë të veçantë. Faji është i gjithë skuadrës”. Ai theksoi se ekipi ka karakterin për ta ndryshuar situatën dhe se tifozët, pavarësisht zemërimit, janë ende pranë skuadrës.
Në veçanti, Mbappé doli në mbrojtje të Vinicius Junior-it: “Nuk është faji i Viniciusit nëse nuk luajmë siç duhet. Është përgjegjësi e të gjithë grupit. Ai është njeri, është normale të ndikohet. Duhet ta mbrojmë më shumë. Në Madrid, ai nuk do të jetë kurrë vetëm”.
Sa i përket Xabi Alonso-s, francezi ishte i prerë: “Të thuash se Xabi ka dështuar te Real Madridi nuk është e vërtetë. Ai u largua para se të vendoseshin titujt. Do të bëhet një trajner shumë i madh”. Mbappé konfirmoi se ka folur personalisht me të për ta mbështetur, duke shtuar se vendimet e klubit duhen respektuar.
Në fund, ai pranoi se situata ka qenë e trazuar: “Nuk do të bëj budallain, sigurisht që kanë ndodhur gjëra. Kjo është jeta e një klubi të madh. Ka shumë gjëra që thuhen dhe nuk janë të vërteta, por ne duhet të vazhdojmë përpara dhe të mbrojmë stemën e Real Madridit”.