Transportonte emigrantë egjiptianë drejt Kukësit, arrestohet 31-vjeçari
Pas një hetimi njëmujor me metoda speciale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në koordinim me Prokurorinë e Tiranës, finalizuan operacionin e koduar “Relay 3”, duke goditur veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve.
Gjatë operacionit u arrestua K. G., 31 vjeç, banues në Kukës, i cili dyshohet se transportonte 6 emigrantë nga Egjipti nga Tirana drejt Kukësit, për të kaluar më pas ilegalisht në shtetet e Bashkimit Evropian. Transporti u realizua nëpërmjet rrugës së vjetër të Rinasit.
Si rezultat i këtij operacioni, u sekuestruan automjeti i përdorur për transportin dhe 2 celularë që dyshohet se shërbenin për organizimin e veprimtarisë kriminale.
Hetimet vijojnë për identifikimin dhe ndjekjen penale të personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.