Blushi: Kuvendi është kthyer në bunker të korrupsionit, po përdoret si mburojë për aferat e qeverisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka zhvilluar një debat të ashpër në Konferencën e Kryetarëve me kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, dhe kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të rënda të Kushtetutës dhe të rregullores parlamentare.

Blushi deklaroi se Kuvendi është kthyer në “bunkerin e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës” dhe se sesioni i ri parlamentar duhet të niste me heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku dhe dorëzimin e saj para drejtësisë. Sipas tij, mazhoranca i ka dhënë Ballukut gjashtë javë kohë për të prishur provat dhe për të intimiduar dëshmitarët.

“Vijimi i të qenit zv/kryeministre është promovim dhe mbrojtje e korrupsionit dhe e pandëshkueshmërisë. Me mbrojtjen e Ballukut nuk po provokoni opozitën, por të gjithë shqiptarët që po vidhen barbarisht nga ju”, u shpreh Blushi.

Ai akuzoi mazhorancën se ka shkelur premtimin publik për të miratuar çdo kërkesë të SPAK për dhënie autorizimi, duke theksuar se nuk po mbrohet Balluku, por aferat e kryeministrit Rama. “Mos e përdorni mandatin e deputetit për të mbrojtur krimet e shefit tuaj”, tha Blushi.

Sekretari i Përgjithshëm i PL dënoi ashpër veprimet e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, duke e akuzuar për shkelje të rëndë të rregullores dhe Kushtetutës, si dhe për bllokim të qëllimshëm të Këshillit të Mandateve për rastin Balluku. “Mos pengoni drejtësinë, sepse kjo ju inkriminon të gjithëve”, paralajmëroi ai.

Në deklaratën e tij, Blushi tha se Kuvendi nuk funksionon më mbi bazën e Kushtetutës, por mbi “urdhrat e mafias dhe të Ergys Agasit”, duke shtuar se deputetët e mazhorancës po sillen si “ushtarë” dhe po përdorin Kuvendin si mburojë për skandale dhe afera ku, sipas tij, janë të përfshirë të gjithë.

“Kuvendi është nën këmbët e krimit”, theksoi Blushi, duke kritikuar gjithashtu faktin se mazhoranca kërkon konsensus për reformat, ndërkohë që sesioni i ri nis me gjashtë deputetë të opozitës të përjashtuar.

Ai denoncoi edhe bllokimin e nismave ligjore të Partisë së Lirisë, duke kujtuar se janë depozituar dy projektligje të rëndësishme për interesin publik, një për uljen e TVSH-së nga 20% në 5% dhe një tjetër për Sigurinë Ushqimore, për të cilat ende nuk është caktuar asnjë datë shqyrtimi në komisione apo në seancë plenare.

Po ashtu, Blushi deklaroi se ka depozituar dy kërkesa për interpelancë me ministrin e Drejtësisë për çështjen Meta dhe me ministrin e Bujqësisë për fondet e IPARD, por Kuvendi ende nuk ka caktuar datë për zhvillimin e tyre.

Në përfundim, ai akuzoi mazhorancën se po e nis edhe këtë sesion parlamentar me shkelje të rënda të rregullores dhe Kushtetutës, duke mohuar të drejtat kushtetuese të opozitës, përfshirë refuzimin për ngritjen e komisioneve hetimore.