Edhe pse flini mjaftueshëm, ndiheni të lodhur? Ekspertët: Trupit i mungojnë lloje të tjera pushimi
Shumë njerëz zgjohen të rraskapitur edhe pse kanë fjetur orët e rekomanduara. Sipas ekspertëve të shëndetit mendor, arsyeja mund të mos jetë mungesa e gjumit, por neglizhimi i formave të tjera po aq të rëndësishme të pushimit.
Mjekja amerikane Saundra Dalton-Smith shpjegon se ekzistojnë shtatë lloje themelore pushimi, të nevojshme për të adresuar atë që Shoqata Amerikane e Psikologjisë e cilëson si “deficit pushimi”, një problem gjithnjë e më i përhapur në botën perëndimore.
Shtatë llojet e pushimit që i duhen trupit dhe mendjes
Pushimi fizik
Nuk kufizohet vetëm te gjumi. Përveç pushimit gjatë natës ose një sy gjumi gjatë ditës, pushimi fizik mund të përfshijë masazhe, shtrirje apo aktivitete të lehta që i japin trupit mundësi të rikuperohet.
Pushimi mendor
Lodhja mendore shfaqet kur truri është vazhdimisht aktiv. Pushimi mendor nënkupton largimin nga detyrat që kërkojnë përqendrim të lartë dhe zëvendësimin e tyre me aktivitete më të thjeshta, si punë shtëpie apo lojëra të lehta mendore.
Pushimi emocional
Sipas psikologëve, mbajtja e vazhdueshme e emocioneve “nën kontroll” mund të jetë shteruese. Pushimi emocional përfshin shprehjen e ndjenjave në mënyrë të sinqertë, vendosjen e kufijve dhe shmangien e situatave që shkaktojnë stres emocional.
Pushimi shoqëror
Jo vetëm introvertët kanë nevojë për të. Qëndrimi i vazhdueshëm mes njerëzve kërkon energji. Reduktimi i angazhimeve shoqërore ose kalimi i më shumë kohe vetëm mund të jetë thelbësor për rikuperim.
Pushimi shqisor
Zhurma, ekranet dhe teknologjia mbingarkojnë shqisat. Ekspertët këshillojnë ndërprerje të rregullta nga ekranet dhe reduktim të stimulimit të vazhdueshëm shqisor.
Pushimi krijues
Personat që punojnë në profesione krijuese kanë nevojë për rikthim të frymëzimit. Aktivitetet artistike, hobet apo kontaktet me natyrën dhe artin ndihmojnë në rifreskimin e mendjes.
Pushimi shpirtëror
Ky lloj pushimi lidhet me ndjenjën e qëllimit dhe kuptimit. Lidhja me natyrën, reflektimi personal apo aktivitetet që japin ndjesi paqeje dhe përkatësie mund të mbushin “rezervuarin” shpirtëror.
Pushimi si investim, jo si humbje kohe
Psikologia Natalie Dattilo-Ryan nga Shkolla Mjekësore e Harvardit sugjeron që pushimi të shihet si një investim në energji, jo si pengesë për produktivitetin. “Energjia është si një llogari bankare: kur pushon, ndërton rezerva për të ardhmen,” shpjegon ajo.
Ekspertët theksojnë se nuk ka një formulë të vetme për të gjithë. Nevojat për pushim ndryshojnë nga personi në person dhe madje nga dita në ditë. Pyetja kryesore, sipas tyre, është e thjeshtë: “Si ndihem tani dhe çfarë më duhet në këtë moment?”