Pejsmejkeri i ri ndryshon totalisht funksionimin e një zemre me insuficiencë
Një pejsmejker i ri mund të përmbysë simptomat e dështimit të zemrës duke ndryshuar mënyrën se si zemra prodhon energji. Shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit dhe British Heart Foundation treguan se kyjopajisje mund ta “ritrajnojë” zemrën të përdorë yndyrën si burim energjie, në vend të sheqerit.
Studimi përfshiu 14 pacientë me dështim të zemrës, të cilëve iu vendos një pejsmejker i veçantë i quajtur terapi e risinkronizimit kardiak (CRT). Kjo pajisje e ndryshon burimin e energjisë së zemrës nga glukoza në yndyrë brenda vetëm dy minutash. Në dështimin e zemrës, zemra shpesh ndalon përdorimin e yndyrës si karburant kryesor dhe kalon te sheqeri, gjë që mund të rrisë stresin dhe të dëmtojë më tej muskujt e saj.
Pas gjashtë muajsh me pejsmejker, dhoma kryesore e pompimit të zemrës, barkushja e majtë, ishte zvogëluar mesatarisht me 50 për qind. Gjithashtu, funksioni i pompimit të zemrës ishte përmirësuar me më shumë se një të tretën. Pacientët raportuan më pak gulçim, lëvizshmëri më të mirë, më pak dhimbje dhe nivele më të ulëta ankthi dhe depresioni.
Sipas studiuesve, ngadalësimi i sinjaleve elektrike në zemër mund të prishë mesazhin që e nxit atë të përdorë yndyrën si burim energjie. Pejsmejkeri CRT e rikthen këtë sinjal duke rregulluar koordinimin elektrik të zemrës, duke ndihmuar kështu rikuperimin e saj.