Paraqitje pozitive të kuqezinjve në arenën ndërkombëtare, Muçi dhe Shpendi protagonistë me gola vendimtarë
Vazhdojnë paraqitjet pozitive të futbollistëve kuqezi që aktivizohen në arenën ndërkombëtare, duke dhënë kontribut të rëndësishëm me skuadrat e tyre respektive.
Ernest Muçi po konfirmon formën e shkëlqyer me Trabzonspor. Futbollisti kuqezi realizoi një tjetër gol vendimtar në kampionat, duke i dhënë fitoren skuadrës së tij në transfertë ndaj Kocaelispor.
Muçi shënoi golin e dytë në minutën e 90+1, ndërsa Trabzonspor triumfoi me rezultatin 2-1.
Ky ishte goli i tetë i Muçit në kampionat.
Në mesjavë, ai shkëlqeu edhe në Kupën e Turqisë, ku shënoi dy gola dhe dha një asist në përballjen ndaj Istanbulspor.
Paraqitje shumë të mirë zhvilloi edhe Cristian Shpendi, i cili ishte protagonist absolut me Cesena-n.
Sulmuesi kuqezi shënoi dy gola në fitoren në transfertë ndaj Reggiana-s, duke i dhënë skuadrës së tij suksesin 2-1.
Shpendi realizoi nga një gol në secilën pjesë, fillimisht në minutën e 30-të dhe më pas në minutën e 63-të, duke përmbysur rezultatin, pasi vendasit kishin kaluar në avantazh në minutën e 27-të.
Kontribut me skuadrat e tyre dhanë gjithashtu edhe legjionarë të tjerë të Kombëtares, si Thomas Strakosha, Ardian Ismajli, Marash Kumbulla, Ylber Ramadani dhe Armando Broja.