Vendimi për ‘arrestin në shtëpi'/ Berisha: Kushtetuesja seksion i PS-së. Mori vendim në favor të Lubisë dhe Lubive të tjera që do të shkojnë aty
Lideri i opozitës shqiptare Sali Berisha u paraqit paraditen e kësaj të hëne në SPAK në kuadër të masës “detyrim paraqitje”. Në deklaratën për mediat, ai sulmoi ashpër Gjykatën Kushtetuese lidhur me vendimin për “arrestin në shtëpi”, duke e cilësuar atë si një seksion të Partisë Socialiste.
Sipas tij, Gjykata Kushtetuese trajton me standarde të dyfishta çështjet, duke vonuar ato që lidhen me opozitën dhe duke përshpejtuar rastet që prekin qeveritarët. Ai theksoi se vendimi ndaj tij u shpall antikushtetues, por nuk u shfuqizua, edhe pse pasojat e tij vazhdojnë ende sot. Berisha shtoi se ky vendim hap rrugë për përfitime për persona të tjerë, duke e quajtur procesin të motivuar politikisht.
FJALA E BERISHËS:
Gjykata Kushtetuese është një seksion i një organizate partie të PS-së. Komenti i parë. Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajve paraqitje. Në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve.
Këto janë standardet partiake të Gjykatës Kushtetuese.
Së dyti, Gjykata Kushtetuese me një vendim të koduar, partia, shpalli jo kushtetues vendimin ndaj meje por nuk e shfuqizoi atë. Ndërkohë që ai vendim ka pasoja edhe sot.
Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij.
Dhe vendimi në çdo doktrinë, përveç në atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar.
Çfarë bëri me vendimin që mori.
Mori një vendim në favor të Lubisë dhe Lubive të tjera që do të shkojnë aty. Sepse hapi rrugën të shfuqizojë vendimet e tjera. Vendimin tim nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është në fuqi, duke pretenduar se ajo merret vetëm më vendimet që janë në fuqi, çka nuk është ashtu.
Ajo merret me vendimet që janë në fuqi dhe që kanë pasoja. Nuk është zhdukur. Pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat.
Plus pasojat e tjera.
Ja pra, besoj se e morët vesh se ç’përfaqësojnë, njerëz të kapur peng me dhjetëra e dhjetëra mëkate dhe gjëra të padenja.