Humbi 300 mijë euro nga përmbytjet, nuk mori asnjë ndihmë - Fermeri ikën e investon në Greqi: Këtu që ditën e dytë të vijnë...
Fermeri shqiptar, Fatmir Hamataj, i cili aktualisht jeton dhe punon në Greqi, mbështet protestat masive të fermerëve grekë. Megjithatë, historia e tij fsheh një dramë personale dhe një përballje të hidhur me realitetin shqiptar, e cila e detyroi të largohej nga vendlindja.
Në një lidhje direkte nga terreni i protestave me emisionin e mëngjesit Kafe Shqeto në Syri tv , Hamataj rrëfeu se në vitin 2017 ishte kthyer në Shqipëri me shpresën për të investuar. Ai kishte ngritur një fermë prej 22 dynymësh, duke investuar gjithçka kishte. “Kisha investuar gjithçka, që nga shtrimi i rrugës, shtyllat e korentit, e deri te sistemet e ujitjes që i sillja nga 1 kilometër larg”, shpjegon ai.
Por, ëndrra e tij u kthye në një makth kur i gjithë investimi u shkatërrua nga përmbytjet. “U përmbytëm dy herë në atë vit, një herë në nëntor dhe një herë në shkurt”, shpjegon Hamataj gjatë bisedës me moderatorin Flavio Qarri. Dëmi financiar ishte kolosal, duke kapur një shifër prej mbi 300 mijë eurosh. Sipas tij, ai humbi gjithçka kishte ndërtuar.
Përballë kësaj fatkeqësie, mbështetja nga institucionet shtetërore mungoi plotësisht. I pyetur nëse kishte marrë ndonjë dëmshpërblim, përgjigja e tij ishte e prerë: “Asgjë, zero. Nuk e di nëse të tjerët i kanë dëmshpërblyer apo kush i ka marrë lekët, por neve që u mbytëm nuk morëm asnjë lekë”.
I zhgënjyer dhe pa asnjë mbështetje, ai mori vendimin të largohej sërish nga Shqipëria. “U ngrita ika, nuk pres më asgjë nga Shqipëria. U ktheva prapë në Greqi dhe vazhdoj punën këtu”, pohon ai, duke theksuar se nuk ka më asnjë shpresë për kompensim.
Hamataj bën një krahasim të hidhur mes sistemit në Shqipëri dhe atij në Greqi. Ai shpjegon se në shtetin fqinj ekzistojnë zyra shtetërore të dedikuara për menaxhimin e dëmeve në bujqësi. Fermerët paguajnë një tarifë sigurimi vjetor (rreth 50-60 euro për dynym) dhe në rast dëmtimi nga fatkeqësi natyrore, kompensimi është i shpejtë dhe i garantuar. “Këtu ditën e parë bëhet dëmi, ditën e dytë vijnë për vlerësim”, përfundon ai.
Historia e Fatmir Hamatajt është një dëshmi e vështirësive me të cilat përballen fermerët dhe investitorët në Shqipëri, si dhe një pasqyrë e arsyeve që i detyrojnë shumë prej tyre të kërkojnë një të ardhme më të sigurt jashtë vendit.
Flavio Qarri: Fermeri Fatmir Hamataj, i cili, në fakt, besoj e kuptuat që nuk është grek, është shqiptar, por është në Greqi. Sigurisht, pasi ka pasur një përjetim shumë interesant në Shqipëri. Fatmir, mirëmëngjesi! Më dëgjon?
Fatmir Hamataj: Jemi në terren, në punë.
Flavio Qarri: Po, ti punon atje apo ke sipërmarrjen tënde? Më trego pak.
Fatmir Hamataj: Kam sipërmarrjen time, nga viti 2009.
Flavio Qarri: Po ndërkohë çfarë po ndodh me protestat e fermerëve në Greqi në këto momente? Cili është momenti i ngërçit?
Fatmir Hamataj: Protestat e fermerëve kanë shumë kohë këtu, por zona jonë nuk ka hyrë akoma në protesta... Është një moment pune, shumë pune. Dhe nuk janë të gjithë të përfshirë momentalisht. Po të na kërkohet edhe neve të tjerët do t'i mbështesim këta që bëjnë protesta.
Flavio Qarri: E kuptoj. Po ndërkohë ti ke pasur investime edhe në Shqipëri.
Fatmir Hamataj: Kurse aktiviteti jonë vazhdon këtu në Greqi normalisht momentalisht.
Flavio Qarri: E kuptoj. Po ti ke pasur fermë edhe në Shqipëri, apo jo?
Fatmir Hamataj: Po, kisha ardhur në vitin 2017 aty, kisha bërë 22 dynym. U përmbytëm dy herë në atë vit. Edhe në nëntor dhe në shkurt, me sa mbaj mend. Dhe u ngrita ika, nuk të mbështet njeri, nuk...
Flavio Qarri: E humbe gjithë investimin?
Fatmir Hamataj: Gjithçka, gjithçka, gjithçka.
Flavio Qarri: Sa ishte dëmi?
Fatmir Hamataj: Dëmi ka qenë të paktën mbi 300 mijë. Mbi 300 mijë euro? Mbi 300 mijë euro, 22 dynym. Dhe unë atje kisha investuar gjithçka. Që nga shtrimi i rrugës, që nga shtrimi i korentit, që nga shtrimi i shtyllave të korentit, që nga shtrimi i tubove të ujit, se e merrja ujin në një distancë nga 1 kilometër larg. Gjithçka me pagesa.
Flavio Qarri: Kishe ndërtuar fshatin vetë domethënë.
Fatmir Hamataj: 22 dynym atje, kisha bërë të paktën 4-5 kilometra rrugë e kisha shtruar vetë me investimet e mia. Dhe fundi ishte ai që ishte.
Flavio Qarri: Po, ndërkohë qeveria thotë që i dëmshpërblen fermerët. Ti ke marrë ndonjë lek?
Fatmir Hamataj: Asgjë, zero, zero, zero. Nuk e di nëse i kanë dëmshpërblyer ata, nuk e di nëse ata kanë dëmshpërblyer dhe kush i ka marrë lekët, po neve që u mbytëm nuk morëm lekë.
Flavio Qarri: Pret që të marrësh ndonjë lekë nga Shqipëria?
Fatmir Hamataj: Nuk pres asnjë gjë më nga Shqipëria. Unë ika prapë erdha në Greqi, vazhdoj punën këtu.
Lavio Qarri: E kuptoj. Ndërkohë, struktura ekonomike aty të mundëson edhe si sipërmarrës ferme që të kesh të ardhura, të gjenerosh? Si funksionon kjo pjesa e dëmeve?
Fatmir Hamataj: Pjesa e dëmeve në Greqi, kur pësojmë dëme, këtu, janë ca zyra të shtetit këtu që funksionojnë për këto problemet e dëmeve. Dhe neve normalisht paguajmë për dynym një një shifër, 50-60 euro. Dhe të dëmshpërblejnë. Këtu ditën e parë bëhet dëmi, ditën e dytë vijnë…