VIDEO/ Fullkrug firmos suksesin e Milanit, 'Djalli' mbetet në ndjekje të Interit

Milani vazhdon marshimin e tij në kampionat dhe nuk humbet hapin me Interin kryesues. Në “San Siro”, kuqezinjtë mposhtën minimalisht Leçen me rezultatin 1–0, falë golit të parë me fanellën e Milanit nga Niclas Fullkrug, duke e rikthyer sërish distancën prej tri pikësh nga kreu i renditjes.

Ndeshja e javës së 21-të nisi me një Milan agresiv dhe kërkues. Fillimisht Saelemaekers ishte pranë golit me një goditje të majtë, ndërsa pak më vonë Leao dërgoi topin në rrjetë pikërisht pas asistit të belgut, por goli u anulua për pozicion jashtë loje nga arbitri Zufferli. Pas këtij episodi, pjesa e parë u mbyll pa emocione të mëdha dhe pa gola.

Në fraksionin e dytë protagonist absolut u bë portieri i Leçes, Falcone, i cili mbajti ekipin e tij në lojë me dy pritje vendimtare: fillimisht ndaj Ricci-t dhe më pas me një ndërhyrje spektakolare përballë Pulisic, pas një pasimi perfekt të Leaos.

Zgjidhja erdhi nga stoli. Massimiliano Allegri hodhi në fushë Fullkrug në minutën e 72-të dhe zgjedhja rezultoi vendimtare. Vetëm katër minuta më pas, sulmuesi gjerman realizoi me kokë pas një krosimi perfekt të Saelemaekers, duke vendosur fatin e takimit.

Goli i Fullkrug

Për Milanin ky ishte rezultati i 20-të radhazi pozitiv, ndërsa Lecce largohet nga “San Siro” pa pikë dhe mbetet e ngujuar në zonën e rënies, me vetëm 17 pikë në renditje.