Asllani drejt largimit nga Torino? Paris FC hyn në garë, Interi i hapur për shitje
E ardhmja e Kristjan Asllanit duket gjithnjë e më larg Torinos. Mesfushori i Kombëtares shqiptare, në pronësi të Interit, mund të jetë një nga emrat që do të ndryshojë skuadër gjatë këtij merkatoje dimërore, teksa në garë për shërbimet e tij ka hyrë edhe Paris FC.
Skuadra pariziene, e sapongjitur në Ligue 1 dhe aktualisht në vendin e 15-të të renditjes, po lufton fort për mbijetesën. Rezultatet e paqëndrueshme të javëve të fundit kanë nxjerrë në pah probleme të qarta strukturore, sidomos në mesfushë dhe në vazhdimësinë ofensive. Për këtë arsye, drejtuesit kanë vendosur të lëvizin shpejt në merkato.
Paris FC ka zyrtarizuar tashmë afrimet e Lucas Koleosho-s dhe Marshall Munetsi-t, dy lojtarë që pritet të sjellin ndikim të menjëhershëm. Megjithatë, stafi i drejtuar nga Stéphane Gilli vlerëson se ekipi ka ende nevojë për më shumë cilësi dhe ekuilibër në mesin e fushës, ku Asllani shihet si profili ideal.
Mesfushori shqiptar po kalon një periudhë të vështirë pas huazimit te Torino, një eksperiencë që nuk i ka përmbushur pritshmëritë. Klubi ‘granata’ është i gatshëm ta ndërpresë para kohe marrëveshjen, duke e kthyer lojtarin në Milano. Asllani ka kontratë me Interin deri në vitin 2028, por zikaltrit nuk e përjashtojnë një largim të përhershëm që në janar, ose një huazim me të drejtë blerjeje.
Sipas “Foot Mercato”, Paris FC po monitoron nga afër situatën, edhe pse konkurrenca është e fortë. Në Itali interesim kanë shfaqur Genoa, Bologna dhe Cagliari, ndërsa sondazhe ka pasur edhe nga Gjermania dhe Turqia.
Për parizienët, Asllani mund të jetë çelësi për të sjellë qetësi, organizim dhe cilësi në lojë, në një sezon ku objektivi i vetëm është mbijetesa. Dhe këtë herë, gabimet në merkato nuk lejohen.