Ylli Dylgjeri, Prençit/ O magjistar, kur do bierë tërmet?

Pas deklaratave të bëra nga kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, i cili tha se në shtator Shqipëria rrezikohet nga tërmetet, ka reaguar Ylli Dylgjeri.

Përmes një komenti në Facebook, Dylgjeri e ka ironizuar këtë parashikim të bërë nga Prençi, duke thënë se fenomenet natyrore janë të paparashikueshme.

Ja çfarë shkruan Prençi:

Magjistari Prençi( Shemsi) parashikon tërmet!

Po, po, edhe si tërmeti i vitit 1967 -na thotë. Shkon dhe më tej me krahasime shkencore. Tërmetet thotë Prençi kthehen 1 herë në 50 vjet! Mirë që s'thotë që ngjajnë dhe me diktaturat! Por jo! Atë që se parashikon amerikani e japonezi e parashikon Prençi.

Sapo e lexova këtë lajm në BallkanWeb, që më rëntë termeti, mora në telefon nje Profesor të njohur të fushës. E lexove Prençin se ç'thotë për termetin që pritet të bjerë së shpejti- e pyes.

Po-më thotë, dhe më tregon një histori të jetuar të tërmetit katastrofik të vitit 63 në Shkup.

Kur ra tërmeti i Shkupit më tregon profesori, dridhjet kishin ditë që trondisnin qytetin. Popullsia e alarmuar kish braktisur shtëpitë e gdhiheshin jashtë në lulishtet pranë pallateve. Situata e rendit dhe panikut po i dilte nga duart autoriteteve të qeverisjes. Atëherë Jugosllavinë e drejtonin komunistët. Kështu, u morr një vendim nga Komiteti i Partisë në Shkup që të qetësohet populli. Dhe kështu u bë. U dha një urdhër që Drejtori i Institutit Sizmologjik të dilte në media e të qetësonte publikun. Urdhri i partisë nuk diskutohej. Drejtori shkencëtar, del në mbrëmje e u thotë njerëzve që të kthehen në shtëpi se nuk ka tërmet. Dikush e besoi e hyri në shtëpi. Por ...atë natë, në te zbardhur, ndodhi hataja e madhe që njihet si Tërmeti i Shkupit.

Dëmet ishin të mëdha. Pallate të tëra ishin shembur. Atë mëngjes del nga shtëpia e tij gjysmë e prishur edhe Prifti i Shkupit. Kish marrë rrugën drejt kishës së rrënuar. Pasi bën ca rrugë, përballet rastësisht me Drejtorin e Sizmologjikes.

Mirëmëngjesi Uratë ! - e përshëndet Drejtori

Mirëmëngjesi shkencëtar- ia kthen Urata

Unë shkencëtar? Po të isha nuk do ndodhte ky qamet- ia kthen Drejtori

Të ndoqa mbrëmë - i thotë Urata dhe kam një këshillë për Ty:  Bëj kujdes kur flet për këto punë bir! Sa më dëgjon kur lutem Unë Ai lartë, aq të dëgjon kur flet edhe Ty Ai poshtë.

Ndaj kujdes zoti Prençi. Nuk të dëgjon edhe Ty "ky poshtë".